Plumba me dhjamë derri/ Si po eliminohen çeçenët në Ukrainë

Një video e publikuar në llogarinë në Twitter të Gardës Kombëtare të Ukrainës tregon momentin kur një ushtar lyen plumbat me dhjam derri, për të vrarë ushtarët çeçenë që janë dërguar për të luftuar krah rusëve në Ukrainë.

Edhe pse video nuk është verifikuar si autentike, ajo është shpërndarë nga faqja e verifikuar në Twitter e Gardës Kombëtare. Twitter gjithsesi ka vendosur një shënim në video, duke thënë se materiali shkel rregullat e platformës për gjuhën e urrejtjes, por në interes të informacionit publik, video nuk është fshirë.

Në video, ushtari dëgjohet të thotë: “Të dashur vëllezër myslimanë, në vendin tonë nuk do të shkoni në Parajsë. Ju lutem shkoni në shtëpi. Këtu do të hasni në probleme”.

Sipas Fox News, Vladimir Putin dërgoi në betejë luftëtarët e frikshëm çeçenë, por duket se jo vetëm nuk po sheh rezultate prej tyre, por po ndodh e kundërta.

Ekspertët thonë se ushtarët çeçenë janë dërguar me qëllim kapjen ose vrasjen e politikanëve të lartë ukrainas, por janë kthyer vetë në viktima.

Ukraina thotë se ka shkatërruar 65 tanke çeçene dhe ka vrarë një komandant të lartë të tyre.

Theodore Karasil, një ekspert amerikan për çështjet e Rusisë, tha për Fox News: “Çeçenët po marrin goditje dhe kjo bazohet te fakti se ukrainasit i kanë bërë detyrat e shtëpisë. Ata e kanë kuptuar se si luftohen çeçenët”.

“Në vend që çeçenët të vendosin në shënjestër ukrainasit, janë këta të fundit që i kanë në shënjestër çeçenët. Ata po i godasin përpara se të veprojnë. Kjo nuk do të thotë se njësite çeçene nuk janë aktive, por se po ngadalësohen jashtëzakonisht shumë”.

Kurse analisti Jonathan Wachtel thotë se një nga arsyet se përse Putini i dërgoi çeçenët kaq shpejt në luftime lidhet më faktin se ai kërkonte të rriste moralin e trupave pas humbjeve të rënda që po pësonin.

Ukraina pretendon se ka vrarë të paktën 4500 ushtarë rusë gjatë këtyre ditëve luftime.