Presidenti i SHBA Joe Biden diskuton me liderët perëndimorë për luftën në Ukrainë

Presidenti i SHBA, Joe Biden, po diskuton këtë pasdite me liderët perëndimorë përmes platformave online në lidhje me sulmet ruse në Ukrainë.

Thirrjes së Biden për të diskutuar iu bashkua kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, Presidenti francez Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kreu i qeverisë italiane, Mario Draghi dhe ai Britanisë, Boris Johnson.

Aktualisht situata në Ukrainë është mjaft e tensionuar. Pas raundit të parë të bisedimeve mes dy delegacioneve Rusi-Ukrainë në kufi me Bjellorusinë, disa shpërthime janë dëgjuar në Kiev.

Për Syri Tv gazetari i La Stampas në Kiev, Roberto Travan, tha se tre shpërthime të fuqishme janë dëgjuar në kryeqytetin ukrainas. Sipas tij, forcat ushtarake ruse nuk po sulmojnë vetëm forcat ushtarake ukrainase, por edhe civilët.