'Talibanët i vunë eksplozivë statujave të Budës, Rama me Dakon - buldozerë, monumenteve të kulturës'

Dëmet që qeverisja socialiste i ka shkaktuar Durrësit ndër vite, lideri historik i PD-së, Sali Berisha, i ka krahasuar sot si dramatike dhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore të qytetit njësoj me pasojat e eksplozivëve që talibanët i vunë statujave shekullore të Budës.

Nga ana tjetër, ai ka vizatuar një portret të qartë të kandidates së PS në Durrës, Emirjana Sakos, duke filluar me arrogancën që dëshmoi ajo së fundmi në Komisionin hetimor për inceneratorët, që shkoi në vazhdën e ekspertizave të saj që morën jetë njerëzish për dëmet e tërmetit dhe milionat e firmosura për inceneratorët.

Berisha u pyet nga gazetarët sot në konferencën për shtyp në Durrës për fushatën që po bëhet për zgjedhjet e 6 Marsit: “Në vitin 2011, PD ka qenë në aleancë, në koalicion me LSI. Referuar Durrësit, ku ndryshon ajo fushatë nga fushata e tanishme dhe cilat janë pritshmëritë?”

Dhe përgjigja e liderit historik të PD-së, Berishës qe:

“ Aleanca është aleancë, funksionon shumë mirë sot dhe mendoj qytetarët e Durrësit, më datën 6 Mars, do të votojnë masivisht për ndryshimin, - tha ish-Kryeministri. - Në rast se ju analizoni historinë 22-vjeçare të qeverisjes socialiste, unë e konsideroj atë absolutisht një nga historitë më dramatike për këtë qytet. Në disa aspekte. Në rast se marrim pasuritë e këtij qyteti, përveç brigjeve të tij, pasuria më e madhe në rrafshin material është ajo kulturore, trashëgimi që bën krenar çdo qytetar në planet, pra trashëgimia kulturore e Durrësit është shumë e madhe, shumë e çmuar.

Sapo mbyllëm një tryezë të rrumbullakët dhe theksova që dikujt mund t’i duket dhe teprim: krahasova eksplozivin që talibanët vendosën në statujat e Budës me qëndrimet që  janë mbajtur nga Rama dhe Dako ndaj monumenteve të kulturës në Durrës dhe në Tiranë. Unë nuk them se Teatri Kombëtar kishte vlerat shekullore të statujave të Budës, por kishte vlera të jashtëzakonshme shpirtërore për shqiptarët. Dhe ata vendosën eksploziv - këta vendosën buldozerët.

Unë nuk them Torre Durrësi kishte, të themi një barazvlerë me shtatoret e Budës, se ato kishin dhe vlerë religjioze, që talibanët i hodhën në erë, por në mënyrë absolute, rrënimi dhe zëvendësimi me Velierën... Atje u bë për qëllime fetare - këtu u bë për qëllime xhepi, për një strukturë 10 milionë euro dhe varrosi një trashëgimi të tjerë.

Po të marrim aferën e Portit, ajo është afera korruptive më e madhe në Europë. Më e madhe në Europë. Minimumi dhjetë herë, po them minimumi, sesa afera e djegësve.

Ju jeni gazetarë, ju e njihni Durrësin, portin, nuk ka sot në Shqipëri një njeri të thotë se kush po merr 800 mijë metër katrorë tokë publike në Durrës. U tha se e ka arabi. Arabi u zhduk hyri në det, nuk është më.

Tani kush është?! Nuk mund të jetë kush kurrë përveç Edi Ramës dhe ortakut të tij, siç doli nga ajo, siç doli nga ajo, menaxheri i simfonisë, kompanisë së arabit, Lul Brava. Pra, po ndodhin të gjitha këto.

Çfarë është kandidatja, më thoni ju mua, zonja Sako? Më falni, zonja Sako ka dy vite që qeveris Durrësin në mënyrë identike njëlloj si Gjushi, që është balozi, të themi të vërtetën, i shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, gjithçka me miratimin e Edi Ramës.

Zonja Sako është evidentuar nga ju, nga media, jo nga unë, si jë zonjë e padrejtë në shpërndarjen e fondeve të tërmetit.   

Kjo zonjë, më falni, ka dhënë në aferën e djegësve, që është e djegur në aferën e djegësve, ka dhënë 10 milionë euro nga taksat e durrsakëve! Prisni.

U thirr në komision për shpjegimi. Cili ishte shpjegimi i saj? Shpjegimi i saj më vjen keq që e them, ishte arroganca. U ngrit dhe braktisi seancën. Nuk mund ta bënte ajo atë. Je dëshmitare në komision parlamentar. Atë që mund të bësh në komision, mund të thuash unë nuk përgjigjem, por jo të ikësh me arrogancë dhe të fyesh parlamentin dhe qytetarët.

Qytetarët durrsakë prisnin që ajo të shpjegonte pse ka dhënë 10 milionë. Pse ka dhënë para dy javësh dyqind mijë euro Klodian Zotos?! Pse paguan 40 euro për ton plehrash dhe nuk kërkon landfillin e Gjipalajt?! Ja ku është landfilli i Bushatit: 10 euro për ton!

Pra, zonja Sako duket se nuk kishte përgjigje për këto pyetje, se nëse do të kishte ajo nuk mundej, askush nuk e bënte xhestin e saj, asnjë njeri. Edhe Edi Rama. Mbeti aty në kompleksin e fajit,  u faktua që ka shkelur ligjet etj. etj. por pati një moment që tha “nuk përgjigjem” kur u gozhdua, por nuk iku! Kurse ajo brofi në këmbë dhe iku.

Qytetarët të Durrësit ua ka borxh përgjigjet ajo, në qoftë se është qeveritare e tyre dhe nëse kërkon votën për qeveritare. Pastaj ajo ka një gjë të tmerrshme. Jua tregoj unë.

Këtu kam një shkresë, që është me firmën “Kryetari i Grupit të Inspektimit”. Firma është zonja Sako, kryetare. Ja ku e keni. Çfarë thotë shkresa: për hotelin e Ministrisë së Brendshme. Shkresa thotë: “Hoteli nuk ka, dëme strukturore nga tërmeti i shtatorit.

Mbi këtë bazë është shkresa tjetër e Plaurent Ndrecaj, që dërgon aty 120 kursantë. Zoti i shpëtoi ata!

Unë nuk kam asnjë simpati për Plaurent Ndrecën, ju e kuptoni vetë, por nuk mund të them se ai u bazua në këtë ekspertizë, gjë të cilën nuk e firmosi kryetarja e bashkisë që ishte në atë kohë. U bashkua në këtë ekspertizë, Plaurent Ndreca , dërgon në hotel 120 kursantë. Ata për fatin e tyre janë sot gjallë, kurse një oficer i lartë, ju e dini që mbeti nën rrënojat e godinës për të cilën zonja Sako tha: “Nuk ka ndryshime strukturore, dëmtime strukturore”.

Tani më thoni ju mua: ku është vendi i saj?! A është të paktën në gjykatë për të fajësuar ka apo s’ka përgjegjësi për këtë firmë, ndërkohë që shoqja, kryetarja tjetër, tha “jo, nuk firmos unë këtë, nuk e pranoj unë këtë!

Pra, a mund të paraqitet një kandidaturë kaq komplekse me gjithë këto probleme?! Ky është akt cinik para shqiptarëve i Edi Ramës, që nuk pyet, sepse të vota nuk ka rëndësi, vullneti i qytetarëve nuk ka rëndësi, ndaj është Ardian Muka, kandidati më i preferuar, më përfaqësues për qytetarët e Durrësit dhe banorët e rrethit të Durrësit. 

Kandidati tjetër është Luan Monopoli. Nuk është Luan Hoti ai, është Monopoli.

Opozitar me monopol të dhuruar nga qeveria! Po atëherë, a nuk luftuam ne, gjashtë vite na keni dëgjuar nja 600 herë, ndrikull Vilma Nushin për monopolin e “Check up”?! Po dhe dalim tani ne në opozitë me monopol njësoj si ajo!

Monopoli është i paligjshëm, qoftë i Vilma Nushit, qoftë i Luan Hotit dhe për më tepër Luan Hoti tani përgatit dokumente që të marrë – ta rimarrë dhe njëherë monopolin,  se e ka marrë njëherë në kulmin e marrëveshjes Rama – Basha në 2017, ta rimarrë monopolin.

Në qoftë se qytetarët....Nuk mund të gënjehen, të mashtrohen, nuk mund të votojnë monopole , kurrsesi, se monopolet janë në kurriz të qytetarëve, janë grabitje e qytetarëve.”