Berisha kërkon dërgimin urgjent të ndihmave ushtarake drejt Ukrainës, dënon qëndrimin e qeverisë

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar sot se mbështet çdo vendim të qeverisë shqiptare që lidhet me vendimet e NATO-s lidhur me krizën në Ukrainë, por nga ana tjetër, shpreh keqardhjen e tij që qeveria shqiptare nuk ka dhënë ende asnjë lloj ndihme materiale për Ukrainën, qofshin këto “ngarkesa me fishekë, me predha mortajash, uniforma e çfarë mund të jenë tepër”, siç u shpreh gjatë një konference shtypi për mediat dhënë sot nga Durrësi.

Berisha tha: “Mbështes çdo qëndrim të qeverisë që lidhet me vendimet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, plotësimin e çdo detyrimin që rrjedh nga anëtarësimi në këtë aleancë sikundër mbështetjen e të gjitha vendimeve historike të BE për Ukrainën. Por shpreh keqardhjen time që qeveria shqiptare mund të jetë ndër më të paktat për të mos thënë e vetmja që gjer në këtë moment nuk ka dhënë asnjë lloj ndihme materiale konkrete përveç qëndrimeve politike të përputhshme me SHBA dhe NATO.”

Pyetje: Duke iu referuar asaj që thatë, a është neglizhencë nga ana e qeverisë apo një mungesë kapacitetesh për t’i afruar ndihmën e duhur Ukrainës dhe sa gati është Shqipëria për të përballuar krizën që pritet në vazhdimësi?

Berisha: “Është absolutisht hezitim bazuar në deklaratën që bëri Edi Rama, sipas të cilit “Rusia nuk është një armik i yni”. Rusia është një armik yni dhe i çdo vendi të lirë tjetër, në mënyrë të veçantë ndaj ne shqiptarëve. Pikërisht duke mos e konsideruar një armik tonin, ne nuk marrim anë.

Ne marrim anë plotësisht në krahun e kombit, popullit ukrainas, që është viktimë e një agresioni barbar. Kjo është arsyeja pse nuk janë dërguar dhe nëse ju kujtohet, kërkesat e mia të përjavshme në parlament janë pritur me ilaritet dhe reagime të turpshme nga disa përfaqësues të Edi Ramës në parlament.

Për sa i përket mundësisë, janë të plota. Nuk kam parasysh inventarin e ushtrisë shqiptare, por në çdo rrethanë, ngarkesa me fishekë, me predha mortajash mund të dërgohen, me uniforma e çfarë mund të jenë tepër. Pra, nuk ka dyshim se Shqipëria ka mundësitë e veta të ndihmojë këtë komb për të përballuar agresionin barbar të Rusisë,” theksoi lideri historik i PD-së.