Abramoviç po negocion për paqen, oligarkët kthehen kundër Putinit

Qëllimi i sanksioneve të Perëndimit është që të godasë sa më shumë rrethin e ngushtë të oligarkëve të Vladimir Putinit. Por a po japin fryte këto sanksione?

Miliarderi rus, Roman Abramoviç, ka mbërritur në Bjellorusi për të asistuar bisedimet për paqen. Sipas Daily Mail, biznesmeni ka qenë nën presion për të folur në lidhje me pushtimin rus.

Të shtunën mes presionit të sanksioneve, Abramoviç deklaroi se dorëzon drejtimin e klubit londinez të Çelsit te bordi i bamirësisë.

Por sot, në një lëvizje surprizë, një zëdhënës i tij tha se biznesmeni po përpiqet që të arrijë një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë. Sipas medieve, ai është kontaktuar nga pala ukrainase për mbështetje.

Ndërkohë edhe dy miliarderë rusë të tjerë kanë kërkuar që t’i jepet fund konfliktit sa më shpejt.

Oligarkët Mikhail Fridman dhe Oleg Deripaska kanë dënuar pushtimin e Putinit duke thënë se duhet të nisin sa më shpejt bisedimet e paqes.

Fridman, që ka themeluar bankën më të madhe private në Rusi, tha se duhet të mbarojë gjakderdhja.

Dhe Deripaska, që është në listën e sanksioneve të SHBA, tha se paqja është shumë e rëndësishme.