Pushtimi i Putinit nuk po shkon sipas planit- çfarë do bëjë ai?
Nga Frank Gardner, BBC
Presidenti rus, Vladimir Putin tani është në një situatë të vështirë dhe kjo është e rrezikshme.
Ky pushtim i planifikuar prej kohësh i fqinjit të tij nuk po shkon sipas planit, megjithëse forcat e tij po bëjnë njëfarë përparimi në jug.
Përtej kufijve të Ukrainës, reagimi ndërkombëtar ka qenë shumë më i shpejtë dhe më i ashpër nga sa mund të priste ai, duke shkaktuar dëme serioze në ekonominë ruse, që mund të përfundojnë duke kërcënuar autoritetin e tij në vend.
Por çfarë vjen më pas?
Në lidhje me sanksionet, Moska do të hakmerret në ndonjë formë- ndoshta me një sulm të madh kibernetik ndaj institucioneve perëndimore.
Por detyra më imediate e Putinit është që të tregojë se po fiton në Ukrainë.
Duke përjashtuar mundësinë e vogël për një marrëveshje paqeje, ne mund të presim një intensifikim të ofensivës ruse në qytetet e Ukrainës.
Duke gjykuar nga veprimet e mëparshme në Çeçeni dhe Siri, do ketë pak konsideratë për sigurinë e civilëve dhe Moska ka akoma në dispozicion disa armë shkatërruese që nuk i ka përdorur ende.