Bilanci tragjik i luftës në Ukrainë, të paktën 14 fëmijë të vdekur

Imazhet që dalin nga Ukraina në vazhdën e pushtimit rus kanë qenë të gjitha tronditëse, por jo më shumë se ato të fëmijëve të ekspozuar ndaj tmerreve të luftës. Qindra e qindra fëmijë lanë pas gjithçka, ndërsa sulmi i Vladimir Putin filloi në errësirën e mëngjesit të së enjtes, duke nxituar me familjet në vendet kufitare të gatshme për t’i pranuar si refugjatë.

Shumë familje që nuk mundën të dilnin në kohë, braktisën shtëpitë e tyre, të paprekura ose të shkatërruara, për të kërkuar mjedise më të sigurta.

Zyrtarët ukrainas thanë të shtunën se 116 fëmijë janë plagosur dhe 14 kanë vdekur gjatë pushtimit. Një fotograf i Associated Press të dielën ishte dëshmitar i vdekjes së një vajze 6-vjeçare.

Një ambulancë e çoi fëmijën, ende të veshur me pizhame, në një spital në qytetin port të Mariupolit pasi ajo dhe babai i saj u plagosën nga bombardimet. Anëtarët e një ekipi mjekësor kishin lot në sytë e tyre ndërsa përpiqeshin por nuk arritën ta shpëtonin atë.

“Tregoji këtë Putinit,” i tha një mjek fotografit, i cili u lejua në spital për një kronikë të përpjekjeve të tyre.