Rusia shton përpjekjet në luftë, ndërsa delegatët përgatiten për bisedime në kufirin me Bjellorusinë

Një kolonë disa milje e gjatë me automjete ushtarake ruse po mësyn për në kryeqytetin ukrainas, tregojnë imazhet e reja satelitore, ndërsa Moska vazhdon të shtojë sulmin e saj mbi Kievin, pavarësisht përgatitjes për negociata me përfaqësuesit ukrainas.

Pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia tani po hyn në ditën e tij të pestë, me trupat e saj që po përballen me rezistencë të vendosur në të gjithë vendin, duke i tensionuar përpjekjet e Moskës për të marrë me shpejtësi kontrollin e qyteteve kryesore.

Bisedimet e së hënës -- që priten të mbahen në kufirin ukrainas-bjellorus në mesditë me orën e Moskës (4:00 e paradites EST), sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS -- do të shënojnë kontaktin e parë publik të të dy palëve që nga fillimi i luftës.

Në një fjalimpublik  të dielën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky minimizoi rëndësinë e bisedimeve. “Unë nuk besoj realisht në rezultatin e këtij takimi, por le ta provojmë, në mënyrë që asnjë qytetar i Ukrainës të mos ketë dyshime se unë, si President, nuk u përpoqa ta ndaloja luftën kur kishte një shans qoftë edhe të vogël”, tha Zelensky, i cili nuk do të marrë pjesë personalisht.

Por ndërkohë që ukrainasit kanë dhënë pak shpresë për bisedimet që ofrojnë një rrugë drejt paqes, mundësitë për të ulur konfliktin duket se po pakësohen shpejt.

Ndërsa aleatët e NATO-s premtuan rritje të armatimit dhe ndihmës për forcat ukrainase në luftë dhe sanksionet ndërkombëtare ndaj Rusisë fillojnë të forcohen, Putini i rëndoi pozitat të dielën duke urdhëruar që forcat bërthamore të vendit të tij të viheshin në gatishmëri të lartë.

Më vonë të dielën, Bjellorusia hoqi dorë nga statusi i saj jo-bërthamor në një referendum, pasi ky ish-shtet sovjetik u bë një pikënisje për pushtimin e Rusisë në Ukrainë javën e kaluar.

Votimi në favor të një kushtetute të re, teorikisht mund ta lejojë Rusinë të vendosë armë bërthamore përsëri në Bjellorusi për herë të parë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, kur Bjellorusia hoqi dorë nga rezervat e saj dhe u bë një zonë e lirë bërthamore.

Duke iu drejtuar gazetarëve në një qendër votimi në Minsk, Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko tha se ai mund t'i kërkojë Putinit "të kthejë armët bërthamore" që Bjellorusia ka dhënë nëse Perëndimi dërgon ndonjë armë bërthamore në Poloni ose Lituani.