Borrell: BE nuk do t’i përgjigjet me 'përshkallëzim', Putinit për forcën bërthamore

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se BE-ja nuk do të përfshihet në përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, vendosi forcën e tij bërthamore në gjendje gatishmërie.

“Ne nuk do të vazhdojmë me këtë përshkallëzim”, tha Borrell për BBC-në.

Rusia, me urdhrin e Putinit, ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Putin u tha të dielën shefave të tij të mbrojtjes se forca bërthamore duhet të vihet në gjendje gatishmërie, për shkak të “deklaratave agresive” të Perëndimit, njofton REL.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin ushtarak rus në Ukrainë dhe ka vendosur një varg sanksionesh kundër Rusisë, përfshirë disa kundër Putinit dhe ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov.

Megjithatë, njoftimi i Putinit nuk do të thotë se Rusia synon të përdorë armë bërthamore.

SHBA-ja e dënoi menjëherë vendimin e tij, duke e cilësuar si “përshkallëzim të papranueshëm”.

Letonia i lejon qytetarët e saj të luftojnë në Ukrainë

Parlamenti i Letonisë votoi njëzëri për t’i lejuar shtetasit e tij të luftojnë në Ukrainë, nëse dëshirojnë.

“Qytetarët tanë që duan ta mbështesin Ukrainën dhe të shërbejnë vullnetarisht atje, për të mbrojtur pavarësinë e Ukrainës dhe sigurinë tonë të përbashkët, duhet të jenë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha Juris Rancanis, kryetar i Komisionit parlamentar të mbrojtjes, punëve të brendshme dhe parandalimit të korrupsionit, i cili e hartoi ligjin.

Letonia, e cila kufizohet me Rusinë dhe aleaten e saj, Bjellorusinë, ka ndihmuar tashmë Ukrainën me armatim, përfshirë raketa Stinger.

Mbi 360,000 ukrainas të zhvendosur

Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) tha se rreth 368,000 njerëz kanë ikur nga Ukraina në vendet fqinje qëkur ka nisur pushtimi rus, më 24 shkurt.​

Rreth 150,000 prej tyre kanë shkuar në Poloni.

Ukraina: Ofensiva ruse është ngadalësuar

Ushtria ukrainase tha të hënën se trupat ruse kanë ngadalësuar ofensivën e tyre.

“Okupatorët rusë kanë ulur ritmin e ofensivës, por ende po përpiqen të zhvillojnë sukses në disa fusha”, tha shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura.

“Armiku është i demoralizuar dhe po pëson humbje të mëdha”, thuhet në deklaratë.

Një ditë më herët, Rusia pranoi për herë të parë se ka humbje në radhët e ushtrisë së saj, por nuk dha statistika.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i urdhëroi të dielën forcat bërthamore që të vihen në gjendje gatishmërie.