Trump dënon pushtimin rus në Ukrainë, lë të kuptohet kandidimin në 2024

Ish-presidenti Donald Trump dënoi të shtunën pushtimin rus të Ukrainës dhe tha se ai po lutej për ukrainasit, duke ndryshuar fjalët, ndryshe nga lavdërimi që bëri për presidentin rus Vladimir Putin në fillim të kësaj jave, shkruan Reuters.

Deklaratat e Trump nga Florida erdhën disa orë pasi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët njoftuan sanksione të reja gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë, që do të largonin disa banka ruse nga sistemet kryesore të pagesave globale dhe do të kufizonin aftësinë e bankës qendrore të Rusisë për të mbështetur rublën.

Duke iu drejtuar një turme mbështetësish, Trump përdori fjalimin e tij për të goditur presidentin demokrat Joe Biden duke lënë të kuptohet për një kandidim të mundshëm të tij për president në 2024.

Trump kishte shkaktuar irritim tek disa anëtarë të Partisë Republikane kur i përshkruajti veprimet e Putinit në Ukrainë, si ‘gjeniale’ dhe ‘mjaft të zgjuara’.

Trump shprehu empati për ukrainasit dhe këtë herë lavdëroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy, duke e quajtur atë ‘trim’ ndërsa qëndron në Kiev.

‘Sulmi rus në Ukrainë është i tmerrshëm. Ne po lutemi për popullin krenar të Ukrainës. Zoti i bekoftë të gjithë’, tha Trump.

Trump tha se Putin ka përfituar nga ‘dobësia’ e Biden për të sulmuar Ukrainën.