Media shtetërore ruse nuk mund të fitojë para nga përmbajtjet në Facebook dhe Instagram

Meta ka penguar mediat shtetërore ruse të fitojnë para nga përmbajtjet në Facebook dhe Instagram. 

YouTube bllokoi median shtetërore ruse RT në Ukrainë dhe pezulloi aftësinë e saj për të fituar para nga përmbajtjet në atë platformë globalisht.

Masa vjen pasi qeveria ukrainase i kërkoi YouTube të bllokojë RT nga vendi.

Në një deklaratë, zëdhënësja e YouTube, Ivy Choi përmendi "rrethanat e jashtëzakonshme në Ukrainë" si arsye.

“Ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë zhvillimin e situatës dhe mund të ndërmarrim hapa të mëtejshëm”, thuhet në deklaratë.

YouTube tha gjithashtu se kishte hequr qindra kanale dhe mijëra video ditët e fundit që shkelnin rregullat e rrjetit, duke përfshirë një numër kanalesh që kompania tha se kishin marrë pjesë në një "fushatë të koordinuar mashtrimi".

Meta, e cila zotëron Facebook dhe Instagram, ka ndaluar gjithashtu mediat shtetërore ruse të fitojnë para nga përmbajtjet në platformat e saj.

Ata nuk do të mund të kenë më reklama apo të fitojnë para nga përmbajtja në asnjë platformë në pronësi të Metës.