VIDEO - SYRi TV/ Vrasja e Altin Alikajt në Vlorë, i riu i arrestuar mohon krimin: Viktimën e kisha shok

Shazi Ahmetaj i cili u arrestua një ditë më parë si autori i dyshuar i vrasjes së 46-vjeçarit Altin Alikaj në Vlorë ka mohuar krimin. Para policisë ai ka deklaruar se me viktimën ishte shok dhe shoqërohej vazhdimisht me të.

23-vjeçari Ahmetaj u arrestua një ditë më parë nga policia bashkë me 30-vjeçarin Mateo Kipkiu pasi dyshohet se ky i fundit e ka ndihmuar autorin e dyshuar të largohet nga vendi i ngjarjes pas krimit.

Burime bëjnë me dije se viktima dhe autori i dyshuar kishin njohje me njëri tjetrin. Një nga pistat e hetimit është konflikti për përdorimin e lëndëve narkotike pasi viktima ishte përdorues ndërsa 23-vjeçari Ahmetaj njihet si person me precedentë më fushën e trafikimit.

Gjatë kontrollit në banesën e Ahmetajt policia gjeti një sasi prej 40 gramë heroinë. Një tjetër pistë hetimi është ajo e grabitjes, pasi Alikaj kohët e fundit kishte pasur në duar shuma të konsiderueshme parash.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 shkurt. Të dy personat dyshohet se kanë qenë bashkë në banesë dhe pasi kanë konsumuar lënde narkotike, autori e ka qëlluar me plumb në kokë. Altin Alikaj u gjet i pa jetë nga nëna e tij, ndërsa ishte shpallur i zhdukur prej datës 11 shkurt.