Vazhdojnë ndëshkimet ndaj Putinit, përjashtohet nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos

Vladimir Putin po ndëshkohet nga të katër anët e botës pas vendimit që e mori për ta sulmuar ushtarakisht Ukrainën.

Goditjen e fundit, presidenti rus e mori sot nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos (IJF).

Në fakt, IJF ka dalë sot me një njoftim zyrtar, përmes së cilit njofton se “si rezultat i konfliktit në Ukrainë, Federata Ndërkombëtare e Xhudos vendos ta suspendojë Vladimir Putinin nga statusi i Presidentit të Nderit dhe të Ambasadorit të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos”.

Putin ka qenë xhudist në të kaluarën, ndërsa është parë edhe duke e ushtruar ekipin rus të xhudos në një stërvitje në Sochi të Rusisë në shkurt të vitit 2019.

Në ditët e fundit, Rusia ka marrë goditje të njëpasnjëshme në botën e sportit.

Ky vend po konsiderohet “non grata” nga shtetet tjera pas sulmeve ushtarake ndaj Ukrainës.