'Ca s'votojnë, disa ndonjëherë, të tjerë e shesin: Ndaj do të bëjmë gjithçka të bindim shqiptarët për votën'

Të rinjtë dhe gratë janë dy drejtimet kryesore ku është fokusuar koalicioni "Shtëpia e Lirisë" për t'i bindur për rëndësinë e votës dhe jo vetëm për në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit. Ish-Kryeministri Sali Berisha e bëri të qartë këtë fokus sot nga Shkodra, ku bëri një bashkëbisedim me gazetarët në mbështetje të kandidatit të këtij koalicioni, Bardh Spahisë, për bashkinë e Shkodrës. 

I pyetur se "cili është plani juaj për të zgjuar jo vetëm PD-në, por të gjithë shqiptarët që t’i japin fund diskriminimit që po iu bëhet", lideri historik i PD-së tha: "Zgjimin e Partisë Demokratike unë e konceptoj në këtë mënyrë: PD është e vetmja parti demokratike në vendet ish-komuniste përveç Fidezs në Hungari që mbeti parti e madhe në këmbë. Të tjerat që kanë përmbysur sistemin komunist janë shuar. Por historiku pse mbeti, është një problem që mund të studiohet.

E vërteta është se në periudhën që unë vendosa të rikthehem, unë gjeta të gjalla, idealet, parimet e kësaj partie tek qindra e mijëra shqiptarë dhe kjo më inkurajon shumë.

Betejën e kemi nisur për rikthimin e lirisë. Në pamje të parë të duket pak si abstrakte por në fakt është shumë konkrete. Do të bëj gjithçka të bind shqiptarët për votën. Unë e di ka qëndrime të ndryshme ndaj votës, disa s’votojnë asnjëherë, të tjerë njëherë votojnë - njëherë s’votojnë; të tretë e shesin atë. Pra, gjithçka që bëjmë, synojmë votën. Dy janë drejtimet më të mëdha që synojmë të bindim: Të rinjtë... e po kaq të rëndësishme, janë gratë dhe roli i tyre i jashtëzakonshëm. A do t’ia dalim?! Unë besoj plotësisht se do t’ia dalim në këtë përpjekje!"/ar.sh/SYRI.NET