Betejë e ashpër për të mbrojtur Kievin, shpërthime artilerie në kryeqytetin ukrainas

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, njoftuan autoritetet në Kiev. Presidenti rus, Vladimir Putin, konfirmoi se ka nisur, siç tha, një operacion "special" për "çmilitarizimin" e Ukrainës.

Ora 6: 48: Ora në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, është 07:48.

Media të ndryshme raportojnë për luftime të ashpra atje.

Forcat ukrainase po bëjnë përpjekje të zmbrapsin ushtrinë ruse, e cila synon të marrë kontrollin e Kievit.

Forcat e Armatosura të Ukrainës thanë se në një pjesë të qytetit ka “betejë të ashpër”, ndërsa “luftimet aktive” po zhvillohen në disa rrugë.

Më shumë se 50 shpërthime dhe të shtëna me artileri të rëndë janë dëgjuar në kryeqytet, citon Radio Evropa e Lirë, gazetën Kyiv Independent.

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Danilov, tha se ushtria e ka nën “kontroll” situatën në Kiev.

“Ne po e ndalojmë hordhinë, duke i përdorur të gjitha mjetet në dispozicion”, tha ai, raporton ueb-faqja ukrainase e lajmeve Lb.ua.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, paralajmëroi më herët se Rusia do të përpiqet “të sulmojë” Kievin të premten mbrëma.

“Këtë natë, armiku do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të thyer rezistencën tonë”, tha ai.

“Fati i Ukrainës po vendoset pikërisht tani... Qëllimi ynë kryesor është ta përfundojmë këtë gjakderdhje”, tha Zelenskyi.


01:36 Rusia bllokon rezolutën e SHBA-së dhe Shqipërisë për Ukrainën

Rusia vuri veton ndaj një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të premten, sipas të cilës, është kërkuar që Moska të ndalojë menjëherë sulmin e saj ndaj Ukrainës dhe të tërheqë të gjitha trupat.

Njëmbëdhjetë nga 15 anëtarët e këshillit votuan për rezolutën, e cila u hartua nga Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria. Kina, India dhe Emiratet e Bashkuara Arabe abstenuan.

Dështimi i rezolutës hap rrugën që mbështetësit të bëjnë thirrje për një votim të shpejtë për një rezolutë të ngjashme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së prej 193 anëtarësh, ku nuk ka veto.


01:15 Kanadaja paralajmëron sanksione ndaj Putinit

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, tha se Kanadaja do të vendosë sanksione të ashpra ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, shefit të Stafit të tij dhe Ministrit të tij të Jashtëm, Sergei Lavrov si dhe “njerëzve që mbajnë përgjegjësinë më të madhe për
vdekjet dhe shkatërrimin që ndodhi në Ukrainë”.

Ai shtoi se Kanadaja gjithashtu do të vendosë sanksione ndaj Bjellorusisë dhe liderëve të saj për nxitjen e pushtimit të Ukrainës të nisur nga Putini. Këto sanksione do të shënjestrojnë 57 individë.

Trudeau tha edhe se Kanadaja mbështet heqjen e Rusisë nga sistemi i pagesave SWIFT.