Agresioni rus ndaj Ukrainës, Rama harron luftën në Kosovë: Hera e parë që ndodh në Europë

Kryeministri Edi Rama ka marrë në mbrojtje Serbinë me deklaratën e tij për sa i përket ngjashmërisë së ndëryrjes së Rusisë në Ukrainë me atë të Millosheviçit në Kosovë, ku një paralelizëm të tillë e bëri kryeministri britanik Boris Johnson një ditë më parë.

Pyetjes së gazetares se ‘a mendoni se është e njëjta formë agresioni ndaj dy popujve’, Rama iu përgjigj se ajo që po ndodh në Ukrainë është hera e parë që ndodh në Europë, duke hedhur poshtë masakrën dhe gjenocidin e ushtrisë serbe mbi popullsinë civile të Kosovës.

Pyetje: Një ditë më parë Boris Johnson ka thënë se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ngjason me ndërhyrjen e Serbisë në Kosovë. Ju mendoni se është e njëjta formë agresioni ndaj dy popujve?

Rama: Dua të kufizohem në komente të komenteve jo se këtu ka ndonjë dyshim që nga brutaliteti është një gjë krejt e ngjashme, por nëse ju kujtohet në Kosovë, jetët e personaliteteve politike u vunë në rrezik, ashtu sikundër i ndjeri presidenti Rugova u mor peng faktiksht. Por kjo është diçka që nuk ka ndodhur në Europë, futja me ushtri në një shtet tjetër sovran prej shumë vitesh me institucione të zgjedhura e shumë të tjera. Shpresoj që me kryeministrin britanik do takohem në ditët e ardhshme, sepse do të shkojmë në Londër. Do diskutojmë për këtë megjithëse kemi qenë në kontakt në ditët e mëparshme.