Pas sanksioneve nga SHBA dhe BE, Rusia merr tjetër goditje, pezullohet nga Këshilli i Europës
Rusia ka marrë një tjetër goditje nga komuniteti ndërkombëtar, duke e pezulluar si vend anëtar i Këshillit të Europës.
Në përputhje me Statutin e Këshillit të Evropës, Komiteti i Ministrave ka vendosur sot të pezullojë Federatën Ruse nga e drejta e përfaqësimit në Komitetin e Ministrave dhe në Asamblenë Parlamentare me efekt të menjëhershëm si rezultat i sulmit të armatosur të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.
Vendimi i miratuar sot do të thotë se Federata Ruse mbetet anëtare e Këshillit të Evropës dhe palë në konventat përkatëse të Këshillit të Evropës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjyqtari i zgjedhur në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut nga Federata Ruse gjithashtu mbetet anëtar i Gjykatës dhe kërkesat e paraqitura kundër Federatës Ruse do të vazhdojnë të shqyrtohen dhe vendosen nga Gjykata.
Pezullimi nuk është një masë përfundimtare, por një masë e përkohshme, duke lënë të hapura kanalet e komunikimit.
Ky vendim vjen pas sanksioneve të SHBA-së dhe vendeve të Bashkimit Europian ndaj Rusisë, të cilat kanë qëllim të dëmtojnë ekonominë ruse.