Lufta në Ukrainë/ Bajraktari: Viktimë populli ukrainas. Shtuni: U shkel sovraniteti i një shteti

Konsulli i Nderit i Ukrainës në Shqipëri Bledi Bajraktari dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ardian Shtuni kanë komentuar ‘pushtimin’ e Ukrainës nga ana e Rusisë.

Bajraktari theksoi se nuk beson se do ketë luftë frontale, duke shtuar se populli ukrainas është viktima më e madhe.

Shtuni vlerësoi se Rusia ka shkelur haptazi sovranitetin e Ukrainës e Kievi nuk ka përse të bisedojë, sepse shteti ukrainas është vend i OKB-së.

Bledi Bajraktari, konsull nderi i Ukrainës në Shqipëri: Nuk besoj se do ketë luftë frontale, madje jam i bindur për këtë gjë. Situatën e vuan populli ukrainas. Të dyja palët kërkojnë dialog dhe uroj që konfliktin ta zgjidhin në tavolinë. Pak faj ka edhe Europa Perëndimore për situatën. Derisa Europa nuk ka vënë bllokadë ndaj Europës ka vite tani që kur u pushtua Krimea, gjërat avancojnë me kohën e do shkonim këtu ku edhe jemi. Paqja e siguria në Ukrainë është paqe edhe në Europë. Historia e bashkon Rusinë me Ukrainën. E shoh të vështirë që të ketë ndarje të Ukrainës, sepse aty jetojnë ukrainas, rusë, hungarezë etj e do ishte variant fatal për shtetin e popullin ukrainas.

Adrian Shtuni, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare: Rusia është agresori e Ukraina është vend i pavarur dhe nuk ka asnjë justifikim për konfliktin që po shohim, është konflikt që e ka stisur Rusia, nuk kishte pse të merreshin armët. Nuk e di çfarë të diskutohet, sepse Ukraina njihet shtet i pavarur e nuk i jep llogari askujt. Rusia po krijon destabilitet në rajon, duke krijuar sferë dominimi rajonal.

Nuk e di pse Kievi duhet të ulet me Moskën, por me kushte mund të ulet. Rusia është e pabesueshme, sepse Putin ka gënjyer vazhdimisht. Nuk negociohet me pushkë te koka, sepse nëse do kishte dialog, nuk duhet të ketë luftë. Putini gënjeu, tha se nuk do hyjë në Ukrainë dhe hyri. Rusia ka shkelur sovranitetin e Ukrainës dhe normat ndërkombëtare të sigurisë në Europë. Amerika nuk futet dot në konflikt të hapur me Rusinë, sepse Moska ka fuqi nukleare e situata mund të agravojë shumë rëndë.