VIDEO-SYRI TV/ Kryemadhi për Dibrën: Dhamë 2200 vota më tepër në 25 Prill, por PD s'diti ta sjellë ndryshimin!

Lideri historik i PD, Sali Berisha, ka shkuar sot në fshatin Fushë Alie të Dibrës për të prezantuar edhe atje Premtim Kryemadhin, kandidatin për kryetar bashkie të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Vetë kandidati e nisi fjalën e tij duke thënë: “Dr. Berisha, mirëseerdhët në Fushë Alie, mirëseerdhët në vendin e besës dhe të patriotizmit!” dhe më pas, iu drejtua pjesëmarrësve:

“Ju përshëndes edhe njëherë sot ju, jo vetëm për praninë, por dhe për mbështetjen që i keni dhënë PD-së në vite. U tha këtu sot se Doktori është në një vend bastion të PD në të gjithë historinë e kësaj partie. Jam i nderuar që erdha këtu pasi dola nga një proces model i pastër i Foltores dhe votuat për kandidatin që do t’ju përfaqësonte.

Dibranët, jo vetëm demokratët, ia dhanë ndryshimin më 25 Prill, Partisë Demokratike, por kjo parti për shkak të keqmenaxhimit nuk diti ta sjellë apo t'ia japë qytetarëve ndryshimin.

2200 vota më tepër i dhamë Partisë Demokratike më 25 Prill - vetëm një deputet kemi në parlament!  Dy deputetë ka Mati - me 1000 vota minus për PD-në! Kjo është që të mos respektohet vota vullneti mundi dhe djersa jo vetëm e demokratëve por e gjithë qytetarëve të Dibrës.

Gjej rastin t’iu bëj thirrje sot atyre demokratëve me të cilët deri dje qemë në një front, që për momentin janë pozicionuar në krahun tjetër, të vijnë tek shumica, tek vullneti i qytetarëve për ndryshim, të vijnë që të sjellim atë ndryshim që nuk e sollën për 8-9 vite me gjithë sakrificën tonë. Bashkohuni që të heqim bashkinë nga kjo keqqeverisje e së majtës,” theksoi Premtim Kryemadhi në fjalën e tij.