‘Anija ruse, shkoni q... veten’/ Pse u vetësakrifikuan ushtarët ukrainas?

Një ushtar ukrainas në një ishull të vogël në Detin e Zi nuk e mbajti mllefin kur u kërcënua nga një anije ruse.

Sipas CNN, një anije ushtarake ruse iu afrua Ishullit të Gjarprit dhe një oficer rus tha: “Kjo është një anije luftarake. U bëj thirrje që të dorëzoni armët dhe të dorëzoni armët që të shmangim gjakderdhjen. Përndryshe do bombardoheni”.

Ushtari ukrainas u përgjigj: “Anija luftarake ruse, shkoni q... veten”.

Këto ishin fjalët e fundit. Të 13 ushtarët ukrainas u vranë nga bombardimi rus. Lajmin e konfirmoi edhe vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, që tha se ata do marrin medaljen e lartë të nderit.

Por pse ishte i rëndësishëm ky vetësakrifikim i ushtarëve ukrainas?

Ishulli në fjalë është shumë i vogël, rreth 18 hektarë, por është thelbësor në lidhje me pretendimet territoriale të Ukrainës në Detin e Zi. Ishulli ndodhet 48 km larg Ukrainës dhe 300 km në perëndim të Krimeas.

Pikërisht këtë ishull zgjodhi presidenti ukrainas për të dhënë një intervistë para disa kohësh. Fjalët e tij ishin profetike. “Ishulli, njësoj si pjesa tjetër e territorit, janë tokë ukrainase. Ne do e mbrojmë me çdo mjet,” tha ai.