OKB: Të paktën 25 civilë janë vrarë në sulmet ajrore mbi Ukrainë

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi sot në mesditë se sipas disa raportimeve, ka pasur të paktën 127 viktima civile në Ukrainë: 25 të vrarë dhe 102 të plagosur, për shkak të "bombardimeve me artileri dhe sulmeve ajrore".  Zëdhënësja e OKB vërejti se ka të ngjarë që ky numër të jetë më pak se sa realiteti.

Më herët, Sekretari i Përgjithshëm António Guterres shkroi në Twitter se “me rritjen e numrit të të vdekurve, ne po shohim imazhe frike, ankthi dhe terrori në çdo cep të Ukrainës. Mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioriteti numër një. Ligji ndërkombëtar humanitar dhe i të drejtave të njeriut duhet të respektohet.”

“OKB po  shton operacionet e veta humanitare brenda dhe përrreth Ukrainës. Ne jemi të përkushtuar të qëndrojmë dhe të ofrojmë, për të mbështetur njerëzit në Ukrainë në  këtë kohë nevoje. Ne po ofrojmë ndihmë humanitare shpëtimtare për më të cenuarit, pavarësisht se cilët janë dhe ku ndodhen.”

Ndërsa dje, ditën e parë të pushtimit rus, Guterres deklaroi: "Operacionet ushtarake ruse brenda territorit sovran të Ukrainës “në një shkallë që Evropa nuk e ka parë në dekada, bien ndesh drejtpërdrejt me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Pavarësisht një presioni të qëndrueshëm diplomatik ndërkombëtar të udhëhequr nga OKB-ja për të shmangur veprimet ushtarake në Ukrainë, presidenti rus Vladimir Putin bëri pikërisht këtë – duke provokuar kështu një breshëri reagimesh, nisur që nga shefi i OKB-së që e dënoi aktin dhe bëri thirrje për paqe.

E gabuar por jo e pakthyeshme

Guterres dje nënvizoi se përdorimi i forcës nga një vend kundër një tjetri është "përgënjeshtrim i parimeve që çdo vend është angazhuar të mbajë", të cilat ai tha se zbatohen për ofensivën e tanishme ushtarake.

"Eshte gabim. Është kundër Kartës. Është e papranueshme. Por nuk është e pakthyeshme”, theksoi shefi i OKB-së. Ai vazhdoi duke përsëritur thirrjen që i bëri presidentit rus Vladimir Putin mbrëmë:“Ndalojeni operacionin ushtarak. Kthejini trupat në Rusi”, përsëriti ai.