Zyrtari i MEPJ: Sulmin ndaj Ukrainës e prisnim, Rusia do të përballet me sanksione të rënda

Sokol Dedja, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme tha në Çim Peka Live, se Tirana zyrtare e priste sulmin ushtarak të Rusisë ndaj Ukrainës. 

Zyrtari i MEPJ tha se Moska do të përballet me sanksione të ashpra nga perëndimi. 

"Qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën, shprehim keqardhje për viktimat. Nuk është vetëm një akt kundër Ukrainës, por edhe kundër themeleve të rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Jemi në dialog me BE për një reagim të bashkërenduar që do të përfshijë sanksione të rënda kundër Rusisë.

Është një situatë e paprecedentë, në shkelje flagrante të Kartës së OKB dhe si e tillë i jep peshë rolit tonë si anëtar i Këshillit të Sigurimit që është organizmi i ngarkuar me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Shqipëria është bashkëhartuese me SHBA për propozimet në KS për çështjen e Ukrainës, Shqipëria vazhdon të lobojë për mbështetje të gjërë për këtë çështje që i kalon caqet e shtetit të Ukrainës. Sulmi është shokues por nuk ishte i papritur, megjithëse u bënë përpjekje në nivel ndërkombëtar për parandalimin e tij", tha ai.