Nëse zgjedhjet mbaheshin sot?/ ‘Bardh Spahia fiton Shkodrën, e mbështesin 70% e demokratëve’

Nëse zgjedhjet e 6 marsit do të mbaheshin sot, 36,3% e votuesve shkodranë zgjedhin kandidatin e mbështetur nga Sali Berisha, Bardh Spahia në krye të bashkisë.

Shifrat e dala nga sondazh i Barometër në Euronews, tregojnë qartë se shkodranët do mbështesin fuqishëm kandidatin e Shtëpisë së Lirisë, për të fituar këtë bashki.

Ndërkohë, kandidatja e Partisë Socialiste, Majlinda Angoni do të merrte më shumë vota (26,4%) se kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati (9,9%).

Një në katër (27,4%) votues është i pavendosur ose nuk do të dilte në votim nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot.

Barometri i Euroneës Albania pyeti qytetarët me të drejtë vote në Shkodër për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe kandidatët për bashkinë e tyre.

Shkodranët që në zgjedhjet e fundit kanë votuar PD, sot mbështesin në mënyrë dërrmuese (70%) kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia. 17% e tyre do të votonin kandidatin e PD, Xhemal Bushati.

Rezultatet janë të anketës së Barometrit në Euroneës Albania, kryer nga MRB dhe Data Centrum në bashkinë Shkodër, në datat 12-18 shkurt me 1000 intervista ballë për ballë në familje.