Inceneratorët, Këlliçi në 'Task Force': Rama gjatë komisionit kërcënoi të vetët! Mirel Mërtiri bleu mediat

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, deklaroi në emisionin ‘Task Force’ në Syri Tv se ka patur një censurë konstante në lidhje me çështjen e inceneratorëve ndërsa theksoi se janë blerë një sërë televizionesh.

Këlliçi deklaroi se një ditë më parë, teksa dëshmonte në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kryeministri Edi Rama kërcënoi njerëzit që ka afër vetes duke thënë ‘kush nuk më mban mua, ta harrojë se do e mbaj'.

“Ka patur një censurë konstante në lidhje me inceneratorët. Janë blerë një sërë TV, të paktën kanë qenë gazetarët kurajozë që kanë patur mundësinë dhe kanë qenë koherentë në qëndrimin e tyre.”-tha Këlliçi.

Deputeti i PD u shpreh se ka qenë i paditur nga Mirel Mërtiri, me dy padi të cilat janë rrëzuar nga gjykata.

“Unë kam qenë i paditur vetë nga Mirel Mërtiri, me dy padi, të cilat janë rrëzuar nga Gjykata dhe ai nuk vjen. Fati im që nuk u dha vendimi para se të shpallej në kërkim, se ndryshe do të dënohesha edhe unë me paratë e inceneratorëve, jam i bindur.”- tha ai.

Këlliçi deklaroi se kjo se thellësia e kësaj afere shkon përtej vjedhjes, edhe me kapjen e medieve përmes parave që duhet të shkonin për pastrimin e qytetit, por që kanë shkuar për reklama e bileta avioni.

“Unë doja që të gjithë qytetarët shqiptarë të kuptobin thellësinë e kësaj afere që nuk ka të bëjë vetëm me vjedhjen, por edhe me kapjen e mediave përmes parave që duhet të shkonin për pastrimin e qytetit, por që në fakt kanë shkuar për reklama, bileta avioni, për konsultë që ia kanë dhënë njëri-tjetrit, fryrje fiktive, është vjedhur buxheti i shtetit. Si mundet që një gazetar ka bërë një investigim dhe ka thënë të vërtetën sot është i dënuar nga Mirel Mërtiri nga Gjykata, me një akuzë për shpifje. BIRN ka qenë ndër të parët që ka folur për këtë aferë, sot është në gjyq. Gazetari Artan Rama qenka në një proces gjyqësor edhe ai. Pjesa më e madhe e gazetarëve dhe një pjesë e deputetëve kanë qenë paditur nga Mërtiri dhe të jeni e bindur se të mos kishin ndodhur tani urdhërndalimet për të, do të ishim të gjithë të dënuar për shpifje, jam i bindur 100%.”-tha Këlliçi.