Stoltenberg: Nuk do të dërgojmë trupa në Ukrainë, kemi ndihmuar ushtrinë e tyre

"NATO nuk do të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë". 

Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Veri Atlantike, Jens Stoltenberg, në konferencën urgjente për shtyp pas agresionit të Vladimir Putin ndaj një vendi sovran. 

Shefi i NATO-s tha se Aleanca ka kontribuar ndër vite në modernizimin e ushtrisë së Ukrainës. 

Ai tha se qëllimi i Aleancës është që të garantojë paprekshmërinë e 30 shteteve anëtarë dhe për këtë po rritet prezenca ushtarake në lindje të Europës.

"Nuk ka trupa ushtarake të NATO-s brenda Ukrainës. Ne kemi bërë të qartë se nuk kemi plane për të dërguar trupa të NATO-s në Ukrainë. Po rrisim prezencën e NATO-s në pjesën lindore të aleancës.

Ukraina është një partner i vlefshëm, e kemi mbështetur ndër vite për një ushtri më moderne, i kemi trajtuar dhe në shumë mënyra forcuar ata, gjithashtu edhe me sisteme mbrojtëse, por nuk kemi trupa të NATO-s në Ukrainë dhe nuk kemi në plan të dërgojmë trupat tanë atje. Por do të mbrojmë vendet anëtare të NATO", u shpreh Stoltenberg.