‘Luftë shumë e përgjakshme’/ Zyrtari amerikan: Rusia synon qeverinë e Ukrainës, si faza e parë e pushtimit...

Ofensiva e Rusisë në Ukrainë duket se është fillimi i një "pushtimi në shkallë të gjerë" që synon si fillim rrëzimin e kryeqytetit të Ukrainës, Kievit.

Këtë të enjte, një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane e përshkroi ofensivën me tre "akset kryesore të sulmit", duke theksuar atë që duket se është një shtytje e fortë e ushtrisë ruse drejt kryeqytetit.

"Në vlerësimin tonë, ata kanë qëllim që ‘t'i presin kokat e qeverisë’, tha zyrtari, duke specifikuar se ‘rusët po realizojnë një lëvizje për kryeqytetin e Ukrainës, Kievin."

Zyrtari tha se pushtimi duket se është në një "fazë fillestare" për momentin, por me faza të shumta për t'u ndjekur.

Si do të jenë fazat e ardhshme është e vështirë të parashikohet, edhe pse ajo që ka ndodhur deri më tani nuk ka qenë befasuese.

Zyrtari parashikoi se lufta pritet të jetë "shumë e përgjakshme, shumë e kushtueshme dhe me ndikim të madh në sigurinë evropiane, ndoshta për një kohë të gjatë, të gjatë që do të vijë."