VIDEO/ Forcat ruse marrin nën kontroll çentralin bërthamor të Çernobilit
Forcat ushtarake ruse kanë marrë nën kontroll uzinën bërthamore të Çernobilit.
Aty ka ndodhur katastrofa më e keqe bërthamore tre dekada më parë.
Forcat ushtarake ruse kanë hyrë aty pasi ushtria ukrainase u tërhoq gjatë luftimeve.
Pak minuta pas një postimi të presidentit ukrainas Zelenskiy, i cili tha se rusët po tentojnë të marrin impiantin bërthamor, një video e publikuar në Twitter tregon forcat ruse brenda perimetrit të çentralit.
Tanket dhe mjetet e tjera të blinduara kanë rrethuar zonën.
Nga Çernobili janë përhapur mbetje radioaktive përreth Evropës, kur një nga reaktorët bërthamorë ka shpërthyer në prill të vitit 1986.
Në uzinën, e cila gjendet 130 kilometra në veri të Kievit, reaktori që dikur ka shpërthyer, tani është i mbuluar me strehë mbrojtëse për të parandaluar rrezatimin.