Lufta filloi! Nisi pushtimi i plotë i Ukrainës! - Ministri i Jashtëm ukrainas jep alarmin

Ministri i Jashtëm i Ukrainës shkruan në Twitter se Putin ka nisur "pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës"

Ministri Dmytro Kuleba, postoi në Twitter herët të enjten se presidenti rus Vladimir Putin "sapo ka nisur një pushtim të plotë të Ukrainës".

"Qytetet paqësore të Ukrainës janë nën sulme. Kjo është një luftë agresioni. Ukraina do të mbrojë veten dhe do të fitojë. Bota mund dhe duhet ta ndalojë Putinin. Koha për të vepruar është tani," shkroi ai në Twitter. Në Fb, kryediplomati ukrainas Kuleba shkruan:

"Lufta filloi.

Që në minutat e para të luftës ka funksionuar i gjithë sistemi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Ukrainë dhe jashtë saj - ambasadat tona, konsullatat, misionet tona në organizatat ndërkombëtare. Po organizojmë kontakte ndërkombëtare të Presidentit, komunikojmë me kolegë ministra, bëjmë presion për zbatimin sa më të shpejtë të sanksioneve, izolimin e Rusisë, furnizimin me armë Ukrainës, dhënien e ndihmës financiare dhe humanitare.

Diplomacia ukrainase ka mbetur e menaxhueshme. Ne ishim duke u përgatitur për një skenar të tillë.

Të dashur ukrainas, gjëja kryesore është të ruani qetësinë, të mos bëni panik dhe të bini pre e lajmeve të rreme.

Bëni gjithçka në fuqinë tuaj për të mbështetur ushtrinë, përhapni informacione të vërteta rreth agresionit në mbarë botën, mobilizoni qeveritë e huaja nëse jetoni jashtë vendit.

Putini ka sulmuar më shumë se vetëm shtetin. Ai sulmoi njerëzit, secilin prej nesh. Dhe ne do ta kalojmë këtë sprovë të tmerrshme me dinjitet. Ukraina do të fitojë!" përfundon ministri.

Një këshilltar i ministrit, Anton Gerashchenko, ka njoftuar se se "pushtimi nga Rusia ka filluar" me "sulme raketore mbi Kiev". Gerashchenko shtoi në faqen e tij në Facebook se qendrat e kontrollit si fushat ajrore dhe selitë ushtarake në Kiev dhe Kharkiv po goditen nga bombardimet dhe se ka zjarr artilerie përgjatë kufirit.