Prindërit ukrainas po marrin masa rrëqethëse në përpjekje për të mbrojtur fëmijët e tyre

Ndërsa populli ukrainas përgatitet për një aksion ushtarak të shtuar pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi trupat në dy rajone "të shkëputura" të Ukrainës lindore , disa prindër po përgatiten për më të keqen - t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë me etiketa që listojnë grupet e tyre të gjakut.

Vasyl dhe Marta, mbiemrat e të cilëve fshihen për mbrojtjen e tyre, janë prindër krenarë të dy vajzave, 9 dhe 5 vjeç, që jetojnë në një fshat rreth nëntë milje nga Kievi, kryeqyteti dhe qyteti më i madh në Ukrainë.

 Vajza e madhe e çiftit ndjek shkollën në qendër të kryeqytetit.

Të hënën, pasi Putin mbajti një fjalim në të cilin ai "njihte pavarësinë" e dy rajoneve separatiste, pro-ruse të Ukrainës lindore - një akt që kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitshko, e përshkroi si një deklaratë lufte - prindërit filluan t'i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla me këto etiketa ngjitëse.

"Është si një copë letër, me informacione për grupin e gjakut, emrat e prindërve të tyre dhe numrat e telefonit,"  thotë Vasyl , për median amerikane 'Today'. 

Ndërsa sipas gazetares ukrainase Olga Tokariuk prindërit ukrainas po diskutojnë në Facebook që kjo etiketë të përdoret nga të gjithë.

''Nëse doni të dini se si reaguan ukrainasit ndaj fjalimit të Putinit, ja një paraqitje e shkurtër: nënat në Facebook diskutojnë për vendosjen e etiketave në rrobat e fëmijëve të tyre, kur ata shkojnë në shkollë, duke treguar grupin e tyre të gjakut. Ky fjalim u perceptua si një deklaratë lufte ndaj Ukrainës' shkruan në postimin e saj gazetarja Tokariuk.

'Ne jetojmë në atdheun tonë. Është atdheu ynë. Ne nuk do të largohemi thjesht sepse një diktator i çmendur po përpiqet të ringjallë kufomën e perandorisë sovjetike ruse," shprehet një prind ukrainas. / today.