Inceneratorët/ Alqi Bllako refuzon të dëshmojë para Komisionit Hetimor (Debati i plotë)

Deputeti i PS, Alqi Bllako është paraqitur mbrëmjen e sotme përpara Komisionit Hetimor për inceneratorët, por ka refuzuar të japë dëshminë e tij. 

Bllako tha se s'mund të dëshmojë përpara komisionit parlamentar, pasi është pyetur për 5 orë në SPAK dhe kjo përbën sekret hetimor. 

Alqi Bllako akuzohet si zyrtari që ka firmosur ngritjen e tre inceneratorëve, atij të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, në kundërshtim me ligjet e shtetit. Bllako akuzohet se ka autorizuar edhe pagesa të majme për biznesmenët e inceneratorëve Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja. 

Gjithashtu, Bllako ka qenë edhe në konflikt interesi, si ish-drejtor i Agjencisë Kombëtare të Mbetjeve kur lejoi ndërtimin e djegësave, ndërsa babai i tij është paguar nga inceneratorët 10 mln lekë në muaj. 

Debatet në Komisionin Hetimor

Jorida Tabaku: Z.Bllako, edhe SPAK po heton, ju jeni thërritur për këtë çështje?

Alqi Bllako: Kam dëshmuar mbi 5 orë në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni. S'mund të dëshmoj përpara këtij Komisioni. Gjatë dëshmisë jam bërë me dije se çdo gjë që kam deklaruar përbën sekret hetimor. Jam në kushtet e pamundshmërisë për të dëshmuar për çka di në lidhje me këto procedura, duke qenë se çdo gjë që di e kam dëshmuar përpara atij organi. Jam i gatshëm të nënshkruaj edhe deklaratën përkatëse. Por do t'ju lutesha, pa iu ngrënë kohë se e di që jeni të lodhur, të bëja shkurtimisht disa sqarime lidhur me disa të pavërteta që kanë përbaltur emrin tim përgjatë këtyre mediave. Kjo është në diskredicionin tuaj për të vendosur nëse do të më jepet kjo e drejtë apo jo. 

Jorida Tabaku: Ne këtu kemi vendosur një standard. Për personat në hetim, është në vullnetin e tyre të dëshmojnë ose jo, ata do të paraqiten, por nuk iu detyrojmë të përgjigjeni. Subashi iu përgjigj këtij komisioni pa asnjë kompleks. Të njëjtën procedurë ne duam ta ndjekim edhe për personin tuaj. Në këtë mënyrë ju sqaroni gjëra që ndoshta me pa të drejtë mund të jenë thënë, ose edhe me të drejtë. Nuk besoj se do të keni mundësinë të bëni një deklaratë këtu dhe të ikni, sepse është diçka që mund ta bëni në deklaratë për shtyp jashtë Kuvendit. Unë do të bëj pyetjet, nëse refuzoni, këtë e vendosni ju se me zor nuk iu marr dot në përgjigje. 

Alqi Bllako: Do të kisha dëshiruar të flisja përpara Komisionit përpara se të jepja dëshminë në organin e akuzës. Subashi është jurist me shumë përvoijë dhe di mbase ta vendosë qartë vijën ndarëse mes mbivendosjes së deklaratës në këtë komision dhe deklarimeve të bëra pranë organit të akuzës në cilësinë e personit që ka dijeni. Jam ekonomi dhe jo jurist. S'dua të ngarkoj veten me përgjegjësi penale për çka mund të deklarohet këtu. S'kam nevojë të bëj asnjë deklaratë politike, akuzat janë të pavërteta. Akuzat e ngritura në këtë komision... Nëse nuk do të më lejoni, unë do të firmos deklaratën dhe do të largohem. 

Jorida Tabaku: S'mund të bëni deklaratë këtu. Pyetjet i bëj unë. Kam 20 pyetje për të bërë. Deklaratë nuk mund të bëjmë dot. Për ne ju jeni një nga personat që ka konfliktin më të rëndë të interesit dhe ka qenë pjesë e procesit vendimmarrës. Kryeministri vjen dhe dëshmon nesër. 

Alqi Bllako: Përmendet konfliktin e rëndë të interesit. Më jepni mundësinë ta sqaroj. Më keni akuzuar pa të drejtë. Unë e bëra të qartë që do të firmos dhe... Nëse s'ma jepni këtë të drejtë...

Jorida Tabaku: Ose do të merrni pyetjet... Deklaratë këtu nuk do të bëni. Administratorja e Tiranës na shpjegoi konfliktin e interesit. 

Ermonela Felaj: Për procedurë, neni 279 i Kodit të Procedurës Penale saktëson që aktet hetimore janë sekret, deri në përfundim të hetimeve. Nëse thirresh si person që ke dijeni, person në hetim, ose kur merresh i pandehur, ky është akti hetimor që ngelet sekret për publikun. Aktet hetimore janë sekret dhe nuk mund të vihen në dispozicion. Ne nuk mund ta pyesim Alqi Bllakon. 

Jorida Tabaku: Ne Alqi Bllakon mund ta pyesim, por Alqi Ballko refuzon të përgjigjet. Rasi i Alqi Bllakos është njësoj si i Armando Subashit. 

Dhurata Çupi: Bllako tha se është thirrur në SPAK si person në dijeni. Tha se ato që ka deklaruar përbëjnë sekret hetimor. Ne mund ta pyesim për konfliktin e interesit. 

Alqi Bllako: Qëkur u angazhova në politikë mora parasysh edhe të gjithë përbaltjen. Por familja ime po përbaltet me pa të drejtë. Sqarimin doja ta bëjë si një borxh ndaj tyre se janë përmendur në këtë komision pa të drejtë.  

Jorida Tabaku: Nëse doni, mund t'ju bëj pyetje, por deklaratë këtu nuk bëni dot.

Alqi Bllako: E firmosa deklaratën. Ju falenderoj për kohën! 
(Alqi Bllako largohet nga Komisioni Hetimor)

Jorida Tabaku: Faleminderit që pritët kaq gjatë. Nesër në orën 12:00 vjen kryeministri Edi Rama