Çfarë do në të vërtetë Putini?

Nga Paul Adams, BBC

Në një kuptim, veprimet e mbrëmshme të Rusisë nuk ndryshojnë asgjë.

Trupat ruse kanë hyrë dhe kanë dalë nga Donbasi që prej vitit 2014. Kam takuar ‘vullnetarë’ në pikat e kontrollit që prej pushtimit të Debaltseve në shkurt të vitit 2015.

Për tetë vjet, Moska ka organizuar, pajisur dhe financuar separatistët e ‘Republikave Popullore’ të Donetskut dhe Luhanskut.

Pra, mbërritja e të ashtuquajturve ‘paqeruajtës’ do të përfaqësojë thjesht fazën më të fundit dhe më zyrtare të pushtimit rus.

Liderët perëndimorë tani do të duhet të vendosin nëse ky përfaqëson ‘pushtimin e mëtejshëm’, kundër të cilit ata kanë paralajmëruar.

Por me një makinë kaq të madhe luftarake rreth kufijve të Ukrainës, është shumë e vështirë të shihet se pse Vladimir Putin do të ndalonte tani.

Një numër shumë i madh trupash ruse janë ‘dislokuar taktikisht’ brenda një distance të shkurtër goditëse nga kufijtë e Ukrainës.

Zyrtarët perëndimorë besojnë se ata mund të jenë aty vetëm për të nisur një pushtim dhe vazhdojnë të këmbëngulin se kjo mund të ndodhë në çdo moment.

Si gjithmonë në krizë, ne kthehemi te një pyetje themelore: çfarë dëshiron në të vërtetë Vladimir Putin?