Putin njeh rajonet rebele të Ukrainës/ A është kjo 'shkëndija' e luftës?

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli njohjen e pavarësisë së Donetsk dhe Luhansk, dy zona të shkëputura të Ukrainës, të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, në një fjalim televiziv drejtuar kombit. Një gjest ky që përfaqëson një përshkallëzim të krizës ukrainase.

Agjencia e lajmeve TASS raporton se Kremlini ka bërë të ditur se “presidenti rus Vladimir Putin ka njoftuar se është gati të nënshkruajë një dekret për njohjen e pavarësisë së republikave separatiste të Donbasit për kancelarin gjerman Olaf Sholz dhe presidentin francez Emmanuel Macron”.

Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë se ishin “të zhgënjyer” nga vendimi i Vladimir Putin për të njohur republikat separatiste të Ukrainës lindore.

“Pas një takimi të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, presidenti Vladimir Putin ka njoftuar se do të vendosë të hënën nëse do të njohë dy republikat e vetëshpallura separatiste Donetsk dhe Lugansk në rajonin Donbass të shkatërruar nga lufta të Ukrainës”, raporton Russia Today.

Rebelët e mbështetur nga Rusia në ato zona të vendosura në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, kanë luftuar kundër ushtrisë ukrainase që nga viti 2014, por Moska nuk i ka njohur zyrtarisht republikat e tyre të vetëshpallura. Ukraina dhe Perëndimi kanë frikë se nëse kjo ndodh, kjo mund ta bëjë Moskën të dërgojë haptazi forca ushtarake në zonë.

Denis Pushilin, kreu i Republikës Popullore të Donetskut dhe Leonid Pasechnik, lideri i Republikës Popullore të Luhanskut, sot i bënë thirrje Putinit që të njohë rajonet e tyre. Zyrtarët e lartë duke përfshirë Sergei Naryshkin, shefin e inteligjencës së jashtme dhe ministrin e brendshëm Vladimir Kolokoltsev thanë se Rusia duhet ta bëjë këtë.

Ndërkohë një shpërthim i fuqishëm ka tronditur qendrën e Luganskut, kryeqytetin e republikës së shkëputur në lindje të Ukrainës, të hënën vonë. Lajmi u raportua në media menjëherë pasi Puti shpalli njohjen e këtij rajoni si të pavarur.

Shpërthimi ka ndodhur jashtë një ndërtese ku ndodhet zyra e Qendrës së Përbashkët për Kontrollin dhe Koordinimin (JCCC) për armëpushimin dhe stabilizimin e vijës së demarkacionit në Republikën Popullore të Luganskut (LPR).

Pamjet e paverifikuara që qarkullojnë në internet tregojnë një automjet të dëmtuar rëndë në flakë jashtë ndërtesës. Shpërthimi shkatërroi xhamat e ndërtesës, si dhe ndezi alarmet e shumë makinave të parkuara jashtë.