Putin gjen alibinë për të pushtuar Ukrainën, kërkon pavarësi për Luhansk dhe Donetsk

Rusia mesa duket e ka gjetur alibi për të urdhëruar ndërhyrjen e ushtrisë në Ukrainë dhe pushtimin e këtij shteti. 

Udhëheqësit e republikave të vetëshpallura popullore i kërkuan zyrtarisht Vladimir Putinit të njohë pavarësinë e tyre në një thirrje të koordinuar të hënën. 

Ky veprim parashikohet të ndezë më tej situatën në Ukrainën lindore.

“Njohja e Rusisë e Luhanskut do të lejojë parandalimin e humbjeve të jetës së qytetarëve të republikës, 300,000 prej të cilëve janë rusë”-  tha kreu i Republikës Popullore të Luhanskut, Leonid Pasechnik në një video të transmetuar në televizionin shtetëror rus.

Rusia ka lëshuar pasaporta për qindra mijëra banorë të enklavave të kontrolluara nga separatistët.

Pothuajse në të njëjtën kohë, Denis Pushilin, kreu i Republikës Popullore të Donetskut, shkoi në televizionin shtetëror rus për t’i kërkuar gjithashtu Putinit ta njohë atë si një shtet të pavarur.

Duke folur të hënën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Putin tha se ideja duhet të konsiderohet:

“Qëllimi ynë është të dëgjojmë kolegët tanë dhe të përcaktojmë hapat tanë të ardhshëm në këtë drejtim, duke pasur parasysh si thirrjet e liderëve të DNR-së dhe LNR-së për të njohur pavarësinë e tyre”, u shpreh shefi i Kremlinit.  

Të dy liderët separatistë kanë pohuar se ushtria ukrainase po planifikonte një sulm për të rimarrë rajonet e Donbasit, pretendime të mohuara kategorikisht nga Ukraina dhe të refuzuara nga perëndimi.

Nëse ai bie dakord, kjo mund të çojë në dërgimin e hapur të forcave ushtarake nga Moska në të dy rajonet, duke përdorur pretendimin se po ndërhyn si aleat për t’i mbrojtur ata nga Ukraina.