Nga 1 marsi, Izraeli hap dyert edhe për turistët e pavaksinuar

Izraeli njoftoi të dielën se duke filluar nga 1 marsi do të hapë kufinjtë për të gjithë turistët, përfshirë të pavaksinuarit.

Të gjithë turistëve do t’u kërkohet t’i nënshtrohen dy testeve PCR, një para nisjes dhe tjetri pas uljes, thanë në një deklaratë të përbashkët Kryeministri Naftali Bennett dhe Ministri i Shëndetësisë Nitzan Horowitz.

Për shtetasit izraelitë, kërkesa për të bërë një test antigjeni përpara se të hipnin në aeroplan u anulua.

Në vend të kësaj, vetëm një test PCR pas mbërritjes do të jetë i detyrueshëm.

Izraelitët e pavaksinuar nuk do të kenë nevojë për karantinë nëse kanë një rezultat negativ të një testi PCR në aeroport.