E bujshme/ Kapet nga SPAK ‘Reqi i Korçës’, ja për çfarë dyshohet

Është arrestuar nga forcat e Policisë së Shtetit, Elton Goskova, ose siç thiret ndryshe “Reqi i Korçës”.

Forcat e policisë mësohet të kenë kryer ndërhyrjen pasditen e të Premtes, por prej dy ditësh ngjarja vijon të mbahet në heshtje, për shkak se operacioni është duke u zhvilluar edhe për kapjen e personave të tjerë.

Mësohet nga burime pranë Policisë së Shtetit, se urdhëri për arrestimin e njeriut të përfolur për disa ngjarje në Korçë, është dhënë nga prokuroria e Posaçme SPAK.

Mësohet se kjo prokurori, ka qënë në ndjekje të një çcështje penale, që lidhet me një bashkëpuntor drejtësie, i cili prej më shumë se 1 viti po bashkëpunon me SPAK, për vrasjen e tre personave.

Në këtë dosje hetimore ka dalë dhe Elton Goskova ose “Reqi i Korçës”, i cili dyshohet se u ka marë përsipër disa prej familjarëve të personave të arrestuar, se do ndikonte tek familja e bashkëpuntorit të drejtësisë, me qëllim që ai të manipulohej dhe të tërhiqej nga dëshmia e tij, dhënë kundër personave të arrestuar.

Në dijeni të këtij plani janë vënë dhe prokurorët e posaçëm, të cilët vendosën që të mbajnë në monitorim, Elton Goskovën, duke çuar deri në momentin e arrestimit të tij.

Vetë SPAK që ka drejtuar këtë operacion, gjatë ditës së sotme ka qëndruar shumë i mbyllur për këtë çështje, duke konfirmuar vetëm arrestimin e Elton Goskovës dhe nuk ka dashur të flasë më tej se për çfarë bëhet fjalë konkretisht.

Sigurisht zyrtyarët e SPAK, thanë se në ditët në vijim do ketë një komunikim për median lidhur me këtë çështje, pasi operacioni është në vijim e sipër, dhe s’mund të nxitoheshin dhe jepnin detaje pa u përmbyllur faza e ekzekutimit të vendimit penal të arrestimeve.

Operacioni për arrestimin e “Reqit të Korçës” është në vijim e sipër dhe lidhet me aktivitetin e këtij personi për të korruptuar dhe manipuluar, dëshmitarin e prokurorisë, Luftar Reçi, i cili ka dëshmuar kundër Lulzim Berishës, Emiljano Shullazit, Plaurent Dervishit, Viktor Imerit, Indrit Taullaut dhe Indrit Rusi, si autorë të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe Klodian Salit, ngjarje këto të ndodhura në muajin shkurt 2005.

Elton Goskova, është proceduar disa herë nga prokuroria e Korçës, për vepra të ndryshme penale. Tashmë “Reqi i Korçës”, është arrestuar me urdhër të SPAK, dhe pritet që në ditët në vijim të dali para gjykatës së Posaçme për tu njuhur me masën e sigurisë “arrest në burg”, që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës. Ndërsa ky operacion është në vijim e sipër. /OraNews