'Ultra Music' largon Era Istrefin, menaxheri i këngëtares mohon lajmin

Të gjithë u bëmë krenarë teksa Era Istrefi preku skenat ndërkombëtare.

Këngëtarja madje u shfaq në finalen e Botërorit me këngën e saj. Era ishte në “Luzhniki Stadium” të Moskës, ku u luajt finalja mes Francës dhe Kroacisë vite më parë.

Ajo performoi përpara sfidës këngën zyrtare të Botërorit së bashku me Niki Xhem dhe Will Smith, por duket se karriera e këngëtares ka ndryshuar që nga ajo ditë.

Bëhet me dije se artisja kosovare nuk është më artiste e menaxhuar nën labelin e “Ultra Music”.

Këtë e ka konfirmuar vetë shefja e distribuimit muzikor të “Ultra Publishing International”, Sony Okon.

Producentja i është përgjigjur pyetjes së një fansi të Erës në “Twitter”, i cili kishte shkruar: “Doja vetëm të bëja një pyetje në lidhje me ‘Ultra Records’. A është këngëtarja Era Istrefi ende e kontraktuar në kompaninë regjistrimit. Ajo nuk ka publikuar ndonjë këngë të re që nga viti 2019. Thjesht pyes, pasi ajo është një nga artistet e mia të preferuara”.

Ndërkohë, përfaqësuesja e “Ultra Music”, i është përgjigjur duke shkruar: “Fatkeqësisht ajo nuk është në ‘Ultra’ më, kështu që nuk kam ide për projektet e saj të ardhshme. Më vjen keq, do të doja të të kisha dhënë lajme të mira”.

Megjithatë, një lajm i tillë është mohuar nga menaxheri i këngëtares.

I kontaktuar nga mediat kosovare, menaxheri aktual është shprehur se nuk është e vërtetë shkëputja e kontratës.

“Duhet të jetë 100% një keqkuptim. Era vazhdon të ketë kontratë të vlefshme me kompaninë ‘Ultra Music’”, tha ai. Ndërkohë, vetë këngëtarja nuk ka bërë asnjë reagim. Ditën e djeshme ajo paralajmëroi se së shpejti do të sjellë një projekt të ri. Megjithatë, shpeshherë artistja ka njoftuar në rrjetet sociale se do publikojë këngë të reja, por prej dy vitesh nuk ka lançuar asnjë projekt.