Lezhë: Dërgohet në arrest shtëpie, farmacistja e testeve falso, vazhdon kërkimi për pronaren

Farmacitja e arrestuar të enjten nga Policia e Lezhës, pasi lëshonte teste COVID të falsifikuara do të qëndrojë në arrest shtëpie. 25-vjeçarja Kristjana Luka u njoh këtë të shtunë me masën e sigurisë në Gjykaten e Lezhës, njoftoi gazetari i SYRI TV, Martin Marku.

Në seancen e zhvilluar me dyer të mbyllura e reja nuk ka folur asnjë fjalë në lidhje me akuzat e ngritura, por ka qenë avokati i cili ka thënë se 25-vjeçarja ka qenë thjesht punonjëse në farmaci dhe se nuk kishte dijeni se aty kryheshin teste COVID fiktive.

Pasi dëgjoi palët, gjykata e cilësoi të ligjshëm ndalimin e 25-vjeçares Luka dhe vendosi ndaj saj masën e sigurisë "arrest në shtëpi",  ashtu siç kishte kërkuar prokuroria.

OPERACIONI "FAKE TEST" ME 17 SHKURT 2022:

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas një hetimi proaktiv disajavor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, është finalizuar me sukses operacioni i koduar "FAKE TEST".

Si rezultat i operacionit është arrestuar në flagrancë shtetasja K. L., 25 vjeçe, banuese në Shënkoll, me profesion farmaciste pranë një subjekti privat me objekt veprimtarie farmaci, në Lezhë, si dhe është shpallur në kërkim shtetasja A. U., 35 vjeçe, banuese në Lezhë, administratore e këtij subjekti privat farmaci.

Këto shtetase, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, në periudha të ndryshme kohore, kanë pajisur shtetas të ndryshëm, me dokumentin shëndetësor përgjigje fiktive të falsifikuar të testit molekular RT PCR për SARS-Cov-2, pa iu nënshtruar më parë kryerjes së testit dhe marrjes së kampionit PCR nga kërkuesit.

Pajisja e tyre bëhej vetëm me dërgimin e dokumentit të identifikimit nga ana e kërkuesit dhe sipas kërkesave të tyre, testi me përgjigje pozitive paguhej 100 euro, ndërsa testi me përgjigje negative paguhej 50 euro. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet që me këto teste fiktive janë pajisur rreth 500 shtetas të ndryshëm.

Gjithashtu, është proceduar në gjëndje të lirë shtetasi A. D., 49 vjeç, banues në Lezhë, administrator i një subjekti privat biznes, i cili dyshohet se tek biznesi i tij kryente tampon/ testin e SARS-Cov-2, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në ligjin për testin SARS-Cov-2.

Gjatë kontrollit të ambientit, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 3 vula, 1 aparat telefonik iPhone, certifikata/teste të shtetasve të ndryshëm me rezultate pozitive e negative, si dhe fotokopje dokumentash identifikimi të shtetasve të pajisur me këto teste fiktive e të falsifikuara.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.