Rusia: Mercenarë nga Shqipëria dhe Kosova janë dërguar në Ukrainë

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, pretendon se mercenarë nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina janë dërguar në Donbas, krahinën e Ukrainës, të ndarë mes qeverisë së Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Moska.

“Rusia ka informacione se mercenarë nga këto shtete janë dërguar atje”, tha Lavrov, i cituar nga “Sputnik”. Lavrov tha se Rusia po i verifikon me shumë kujdes informacionet që ka mbledhur për rekrutimin e mercenarëve, për të luftuar në Donbas.

Në fillim të muajit, Moska u informua nga shërbimet inteligjente të separatistëve të mbështetur prej saj në këtë krahinë, për praninë e mercenarëve britanikë dhe polakë.

Krahina e Donbasit, bashkë me atë të Luhanskut, është një prej epiqendrave të konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë, të nisur prej vitit 2014, kur Moska aneksoi edhe Gadishullin e Krimesë.