'Gishtprerësi': Policia zvicerane arreston një nga kriminelët më të kërkuar në Evropë

Një nga kriminelët më të kërkuar në Evropë, i mbiquajtur “gishtprerësi”, është arrestuar në Zvicër.

Policia kantonale e Zyrihut njoftoi të enjten se arrestoi një belg 35-vjeçar, i cili ishte vënë nën radarin e tyre "për falsifikim dokumentesh" e ndaj të cilit kishte një urdhër arresti ndërkombëtar.

Flor Bressers ishte në kërkim nga autoritetet belge që nga maji 2021. Ai ishte dënuar një vit më parë nga Gjykata e Apelit të Antëerpen me katër vjet burg për akuza përfshirë rrëmbim, marrje pengje, grabitje të armatosur, trafik droge dhe vjedhje. .

Mediat belge i kishin vënë atij disa pseudonime, përfshirë edhe "gishtprerës", për dyshimin se kishte përdorur gërshërë krasitjeje për t’i prerë gishtin një trafikanti droge për ndëshkim si edhe "Universitari" sepse ai mendohet se ka një diplomë në kriminologji.

Po ashtu është arrestuar edhe një holandeze 28-vjeçare, shoqëruesja e tij.

Patrick Céréda, shefi për mediat në Policinë Kantonale të Zyrihut, u tha gazetarëve se "sipas procedurave këtu në Zyrih, ai akuzohet për falsifikim të kartave të identitetit në një shkallë të gjerë".

“Bazuar në informacionet nga jashtë dhe përmbajtja e urdhrit ndërkombëtar, ne duhet të supozojmë se personi duhet të klasifikohet si shumë i rrezikshëm”, shtoi ai./ar.sh/SYRI.NET