Pse zëdhënësi i Vladimir Putinit po flet për një ‘stuhi zjarri’

BILD

Nuk po përshkallëzohet vetëm retorika...

180 mijë ushtarë rusë (7 mijë më shumë se ditën e vizitës së kancelarit Scholz) bashkë me armatim të rëndë- ky është sfondi kërcënues që që sundimtari rus, Vladimir Putin po ndërton kundër Ukrainës. Tani zëdhënësi i tij po kërcënon me një ‘stuhi zjarri’.

“Situata në Ukrainë, përkatësisht në afërsi të kufijve rusë, mund të kthehet nga një luftë balte në një stuhi zjarri në çdo moment,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Dhe më tej: Rreziku i shpërthimit të një lufte është i pranishëm.

Të gjithë të dhënat tregojnë se Rusia është gati të pushtojë Ukrainën, tha sot presidenti amerikan, Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Kërcënimi i një pushtimi është shumë i lartë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se ka prova se situata mund të përshkallëzohet. Rusia po grumbullon rezerva gjaku për trupat e mbledhur pranë kufirit, njësitë po zhvendosen më pranë kufirit dhe ka më shumë avionë luftarakë në ajër se zakonisht.

“Unë kam qenë vetë ushtar jo shumë kohë më parë. E di vetë se këto gjëra nuk bëhen pa një arsye,” tha ish-gjenerali. “Këto gjëra nuk bëhen kur je duke u bërë gati për të shkuar në shtëpi,” tha ai, duke iu referuar deklaratave ruse se trupat kanë nisur të tërhiqen.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg nuk e fsheh shqetësimin e tij për një pushtim.

“Ata kanë trupa dhe aftësi të mjaftueshme për një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës me shumë pak ose pa asnjë paralajmërim,” tha Stoltenberg. “Kjo është ajo që e bën situatën kaq të rrezikshme”.

Që Rusia nuk do të dorëzohet, këtë e tregojnë edhe tensionet diplomatike.

Moska dëboi në mesditë zëvendës/ambasadorin amerikan në Rusi. Dëbimi i diplomatit Bart Gorman ishte ‘pa asnjë arsye’ dhe përfaqëson një ‘hap tjetër përshkallëzimi’, deklaroi Departamenti i Shtetit në Uashington. “Ne do të shohim mundësinë e reagimit tonë”.

Krahas kësaj, Kremlini kërkon tërheqjen e plotë të trupave amerikane nga Europa Qendrore dhe Lindore. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia ruse e lajmeve, RIA.

Rusia pret propozime speciale nga SHBA dhe NATO për t’u siguruar që NATO nuk do zgjerohet më në lindje. Çështjet e kontrollit të armatimit nuk mund të konsiderohen veçmas nga çështjet e tjera. Një de-përshkallëzim kërkon që Ukraina t’i përmbahet marrëveshjes së Minskut dhe të mos marrë më armë.

Diplomatikisht, për momentin duket se ka pak a shume një heshtje të plotë. Presidenti amerikan, Biden tha se nuk ka në plan që të telefonojë presidentin rus, Vladimir Putin.