Situata ne Ukrainë/ NATO deklaratë pas njoftimit të Rusisë për tërheqje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se njoftimi i Rusisë për tërheqje të trupave ofron hapësirë për optimizëm, por aleanca ende nuk ka parë shtensionim real.

Para takimit të ministrave të vendeve anëtare të NATO-s të mërkurën, Stoltenberg tha: “Kjo jep hapësirë për optimizëm të kujdesshëm, por, deri tash, nuk kemi parë ndonjë shenjë të shtensionimit në terren.”

 “Deri tash s’kemi parë ndonjë shenjë të pakësimit të pranisë ushtarake ruse në kufijtë e Ukrainës, por ne do të vazhdojmë të vëzhgojmë”, shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu tha se Rusia ka grumbulluar “forcë luftuese të pashembullt që nga Lufta e Ftohtë”, shkruan The Guardian.

“Gjithçka është në vend tash për një sulm të ri, por Rusia ende ka kohë që të tërhiqet nga skaji i shkëmbit, të ndalojë së përgatituri për luftë dhe t’i fillojë përgatitjet për një zgjidhje paqësore”, tha sekretari i NATO-s.

Rusia të martën tha se një pjesë e trupave afër zonës kufitare me Ukrainën do të kthehen në bazat e tyre të përhershme. Ky njoftim ndikoi që çmimi i karburanteve të pësojë ulje, ndërsa vlera e rublës ruse të shënojë rritje në raport me euron dhe me dollarin amerikan.