Musk donatori i dytë më i madh në SHBA, ja sa është shuma marramendëse që ka dhuruar për bamirësi

Miliarderi Elon Musk ka dhuruar rreth 5.7 miliardë dollarë të aksioneve të kompanisë së prodhimit të makinave elektrike ‘Tesla” për bamirësi.

Dhurimi i aksioneve u zbulua në një dosje në Komisionin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të SHBA.

Aksionet u dhuruan vitin e kaluar midis 19 nëntorit dhe 29 nëntorit, sipas dosjes, por nuk dihet se kush është përfituesi.

Kjo bamirësi e bën Musk donatorin e dytë më të madh të SHBA-së në vitin 2021. Drejtori i Përgjithshëm i Tesla-s pason Bill Gates dhe Melinda French Gates, të cilët dhanë 15 miliardë dollarë vitin e kaluar, në një renditje vjetore nga “Chronicle of Philanthropy”.

Regjistrimet e mëparshme të letrave me vlerë tregojnë se Musk shiti aksione të Tesla-s me vlerë mbi 16 miliardë dollarë në dy muajt e fundit të 2021, ku shumica e të ardhurave do të paguanin një faturë tatimore federale të SHBA-së rreth 11 miliardë dollarë. Aksionet e dhuruara nuk i nënshtrohen tatimit mbi fitimet kapitale dhe vlera e tyre mund të përdoret si një zbritje për të ndihmuar në kompensimin e faturës tatimore.

Tesla nuk u përgjigj menjëherë kur u pyet për më shumë detaje mbi aksionet e dhuruara. Musk ka krijuar një fondacion që jep grante në mbështetje të kauzave, duke përfshirë kërkimin pediatrik dhe edukimin shkencor, por ka pak detaje në faqen e saj të internetit.

Musk, njeriu më i pasur në botë, u sfidua vitin e kaluar nga drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së për të bërë një donacion që do të ndihmonte në zgjidhjen e urisë në botë. Por, Programi Botëror i Ushqimit nuk e konfirmon nëse donacioni I është dhënë organizatës.