Lidhja me Rusinë e ish-kancelarit gjerman Schroeder hedh hije mbi vizitën e Scholz në Moskë

Kancelari gjerman Olaf Scholz takohet me presidentin rus Vladimir Putin të martën në Moskë në një kohë të vështirë për liderin e një kombi perëndimor ende të varur nga gazi rus.

Pozicioni i kancelarit të ri nuk ndihmohet nga një kancelar i vjetër, Gerhard Schroeder, marrëdhëniet fitimprurëse të biznesit të të cilit me Rusinë po i acarojnë gjermanët dhe komprometojnë udhëheqësit e tyre.

Në fillim të këtij muaji, gjatë një vizite në Uashington DC, kancelari gjerman Olaf Scholz u pyet për një ish-kancelarin Gerhard Schroeder, i cili u emërua në janar për t'iu bashkuar bordit të gjigantit rus të energjisë Gazprom.

Schroeder ulet gjithashtu në bordet e “Nord Stream AG” dhe “Rosneft”, prodhuesit kryesorë të  naftës në Rusi, që e shtyu spikerin e CNN, Jake Tapper, për ta pyetur kancelarin e ri gjerman nëse ai e mbështeste  "praninë e Shrederit në të gjitha këto borde. Çfarë mesazhi  dërgonte kjo…”

Scholz e preu menjëherë, duke u përgjigjur me një buzëqeshje të vogël: “Ai nuk po punon për qeverinë. Ai nuk është qeveria. Jam unë kancelari tani”.

Përgjigja u mor nga revista javore gjermane, Der Spiegel, vetëm disa ditë përpara se Scholz të shkonte në Moskë për takimin e tij të parë me presidentin rus Vladimir Putin si kancelar të martën.

“Dukej sikur kishte nevojë për sqarime se kush ishte lideri politik i Gjermanisë. Ishte një moment i pakëndshëm,” vuri në dukje revista.

Është një kohë e vështirë për të qenë lider i një anëtari të NATO-s që mbështetet në gazin rus, ndërkohë që Kremlini grumbullon trupa dhe kryen stërvitje kërcënuese ushtarake në kufijtë e Ukrainës.

Mes frikës së shtuar për një pushtim rus, Scholz ka qenë në një anije diplomatike ditët e fundit, ndërsa laku ushtarak i Moskës rreth Ukrainës po vë në provë unitetin dhe vendosmërinë e Perëndimit.

Në çdo ndalesë, Scholz shtyhet nga gazsjellësi rus Nord Stream 2 për në Gjermani, i cili është ndërtuar por nuk është ende në funksion.

Në çdo përgjigje, kancelari i ri e ka mbrojtur duke iu shmangur thirrjes së Uashingtonit për t'i "i dhënë fund" lidhjeve me gazin - e duke u dhënë kështu “ ushqim“,  kritikëve dhe karikaturistëve.

Të hënën, Scholz ishte në Kiev, ku theksoi se "askush nuk duhet të dyshojë në vendosmërinë dhe gatishmërinë" e Berlinit për të ndëshkuar Rusinë nëse ajo sulmon fqinjin e saj perëndimor.

Mikpritësi i tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky megjithatë bëri pikërisht këtë kur paralajmëroi publikisht Scholz-in se Moska po përdorte gazsjellësin Nord Stream 2 si një "armë gjeopolitike".

"Siklet për gjermanët"

Pacifizmi ndërkombëtar me kosto të ulët i Gjermanisë, i kombinuar me interesat e saj vetjake ekonomike, kanë acaruar prej kohësh disa nga aleatët e saj.

 Zemërimi u kthye në tallje muajin e kaluar kur Gjermania refuzoi të dërgonte armë në Ukrainë.

Berlini i ofroi Kievit 5,000 helmeta mbrojtëse, duke bërë që kryetari i bashkisë së Kievit të pyeste nëse furnizimi i radhës do të ishin jastëkë.

E tallur dhe pa prezencën qetësuese të Angela Merkelit për të menaxhuar lojërat e Putinit, Gjermania duhej të bënte një hap përpara në skenën e fuqisë së butë.

Kur Scholz mori detyrën më 8 dhjetor 2021, gjermanët e dinin se kancelari i tyre i ri kishte “këpucë të mëdha” që duhej t’i mbushte. Megjithatë, ata nuk e parashikuan që një ish-kancelar që e la detyrën më shumë se 15 vjet më parë, një ish-politik shtatëvjeçar nga Social Demokratët (SPD) e Scholz-it, do të mbizotëronte në titujt kryesorë të mediave.

Në fillim të këtij muaji, ish-kancelari Schroeder u nominua për t'iu bashkuar bordit të Gazprom, gjigantit energjetik të kontrolluar nga Kremlini, pikërisht në kohën kur tensionet po rriteshin mbi ngritjen ushtarake të Rusisë.

Nominimi erdhi vetëm disa ditë pasi Schroeder, në një “podcast” të lëshuar më 28 janar, akuzoi Ukrainën për "vringëllim të shpatës".

Ish-kancelari e kritikoi gjithashtu Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock që vizitoi Kievin përpara Moskës, duke paralajmëruar se Rusia do ta konsideronte udhëtimin në Ukrainë si një "provokim".

Kjo ishte pika e fundit në kupë për shumë gjermanë. "Gerhard Schroder është një siklet për gjermanët," tha Paul Hockenos - një gazetar me bazë në Berlin dhe autor i disa librave, duke përfshirë "Berlin Calling" - në një intervistë me FRANCE 24.

"Për vite, që kur ai la detyrën, media ka parë lidhjet e tij në sektorin privat, marrëdhëniet e tij me Rusinë, Putinin, Gazpromin dhe gjigantët rusë të karburanteve fosile. Tani ai është kritikuar në mënyrë dërrmuese në media, madje edhe në partinë e tij pothuajse të gjithë janë distancuar prej tij.”

Megjithatë, ndarja me Schroeder është ende një punë në progres për disa politikanë të SPD-së, në varësi të moshës së tyre dhe interesave ekonomike të zgjedhësve të tyre.