Irlanda e Veriut do të largojë të gjitha kufizimet e mbetura të Covid-19

Të gjitha kufizimet e mbetura për Covid-19 në Irlandën e Veriut do të hiqen, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Robin Swann.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, aktualisht janë vendosur një numër i vogël kufizimesh, duke përfshirë mbajtjen e maskave dhe përdorimin e certifikimit për Covid-19 në klubet e natës.

Dhe Swann tha se ato masa të mbetura “nuk duhet të përcaktohen më në rregullore” dhe në vend të kësaj do të vendosen “në udhëzime të lëshuara për publikun”.

Ai bëri të ditur se do të jepte një urdhër të martën për të revokuar rregullat e mbetura.

“Kjo nuk do të thotë që Covid-19 është larguar ose që ne si komunitet jemi të sigurt nga dëmi i tij”, ka paralajmëruar Swann.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që ne të vazhdojmë të respektojmë masat e ndjeshme që të gjithë kemi mësuar – për të mbrojtur veten dhe të tjerët”.

Përkundër kësaj, ministri i Shëndetësisë tha se ishte e rëndësishme të ruhej aftësia për të rifutur kufizime përsëri në rast nevoje urgjente.