Presidenti ukrainas e shpall ‘Ditë Uniteti’ të mërkurën, pasi 16 shkurti përflitet si dita e sulmit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se e mërkura do të jetë një ditë uniteti, duke iu referuar raportimeve të ndryshme se një pushtim rus i vendit të tij mund të fillojë atë ditë.

Komentet e liderit ukrainas, të bëra në një mesazh drejtuar kombit të tij,  postuar në Facebook, vijnë në mes të tensioneve të rritura midis Kievit dhe Moskës. Administrata amerikane e Biden kishte paralajmëruar të premten se një sulm ndaj Ukrainës mund të jetë i pashmangshëm.

Zelensky njoftoi në deklaratën e publikuar me video në Facebook se dekreti për shpalljen e një dite uniteti kombëtar ishte nënshkruar tashmë: "Na thuhet se 16 shkurti do të jetë dita e sulmit, - shkruante ai. - Do ta bëjmë një ditë bashkimi. Dekreti është nënshkruar tashmë. Sot pasdite do të varim flamujt kombëtar, do të vendosim shirita blu e të verdhë dhe do t’i tregojmë botës unitetin tonë."

Zyrtarët ukrainas u thanë gazetarëve në Kiev se Zelensky nuk i referohej fjalë për fjalë një sulmi të mërkurën – megjithëse ajo ditë ka qarkulluar në raportet e lajmeve si një ditë e mundshme e hapjes së një fushate ruse në Ukrainë.

Zelensky dhe qeveria e Ukrainës i kanë kritikuar ndonjëherë Shtetet e Bashkuara për tejkalim të alarmit  të një pushtimi të afërt rus të vendit.

Associated Press, duke cituar shërbimet sekrete amerikane, raporton se Rusia e shihte të mërkurën si datën e synuar për një sulm.

Sekretari i shtypit i Pentagonit, John Kirby u tha gazetarëve të hënën "ne ende nuk besojmë se është marrë ndonjë vendim përfundimtar."

I pyetur në lidhje me deklaratën e Zelensky dhe përmendjen e 16 shkurtit, Kirby tha "Unë nuk do të flas për raporte sekrete specifike, mendoj se mund ta kuptoni këtë. Ne kemi thënë për një kohë tani se aksioni ushtarak mund të ndodhë çdo ditë.”

Ai më vonë tha: “Nuk do të hyj në një datë specifike, nuk mendoj se do të ishte punë e mençur. Unë thjesht do t'ju thosha se është plotësisht e mundur që mund të ndodhë me pak ose aspak paralajmërim."

Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa pranë kufirit me Ukrainën. Grumbullimi i trupave ka ngritur shqetësime në mesin e aleatëve të SHBA-së dhe NATO-s se Rusia po planifikon një inkursion ushtarak, por Moska vazhdimisht ka mohuar të ketë ndonjë plan të tillë.

Zyrtarët nga Ukraina, Rusia dhe vendet e NATO-s janë përfshirë në diskutime diplomatike për javë të tëra me shpresën për të lehtësuar tensionet në rajon, por bisedat nuk sollën ndonjë përparim.

Presidenti Biden foli me presidentin rus Vladimir Putin të shtunën dhe tha se "kosto të shpejta dhe të rënda" do të pasonin nëse Moska pushton Ukrainën.