Brukseli i trazuar, ‘Autokolona e Lirisë' pritet të mësyjë në qendër të qytetit

Brukseli është i trazuar sot, pasi një "autokolonë e lirisë", e frymëzuar nga Kanadaja, pritet të mësyjë  në qytet, duke kërcënuar të bllokojë qëndrën e qytetit në kundërshtim të hapur me një ndalim të lëshuar nga autoritetet publike.

Lëvizja e protestës kundërshton kufizimet kundër koronavirusit dhe detyrimin për vaksinim si edhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe ndjek shembullin e demonstratave të ngjashme që u zhvilluan në Kanada, SHBA, Holandë dhe tashmë kanë arritur në Paris.

Duke zgjedhur Brukselin, qytetin ku ndodhen shumica e institucioneve të BE-së, si destinacionin e tyre të ardhshëm, protestuesit synojnë t'i drejtojnë ankesat e tyre në një nivel evropian.

Mbi 1,300 automjete u mblodhën të dielën në Lille, Francë, afër kufirit belg, për t'u përgatitur për udhëtimin e tyre drejt Brukselit.

Policia po kryen kontrolle në pikat kyçe të hyrjes midis Brukselit dhe Flanders për të identifikuar dhe filtruar shkelësit e mundshëm, sipas raporteve nga media lokale.

Ata që janë identifikuar si protestues po i drejtojnë për në vendin e ekspozitave të Brukselit, në veri të qytetit, ku do të lejohet një "demonstrim statik".

Rritja e sigurisë dhe e mbikëqyrjes vjen katër ditë pasi autoritetet belge lëshuan urdhrin për një ndalim të protestës, duke argumentuar se pjesëmarrësit nuk paraqitën kërkesën që duhej.

Në një deklaratë të përbashkët të lëshuar të enjten, Ministrja e Brendshme belge Annelies Verlinden, Ministri i Rajonit të Kryeqytetit - President Rudi Vervoort dhe kryebashkiaku i qytetit të Brukselit Philippe Close thanë se po mobilizonin burimet federale, rajonale dhe lokale për të parandaluar bllokimin e kryeqytetit nga autokolona dhe për të minimizuar ndërprerjen e qarkullimit për banorët e zakonshëm dhe udhëtarët.

"Deri më tani kemi vërejtur 4 - 500 automjete, makina, furgonë të vegjël. Rreth tridhjetë janë bllokuar dhe të tjerët janë shpërndarë," tha Close të hënën në mëngjes.

Autoritetet këshilluan që të mos udhëtohet për në Bruksel nëse nuk është absolutisht e nevojshme dhe mundësisht të përdoret një mjet transporti i ndryshëm nga makina.

"Ky demonstrim nuk lejohet. Shërbimet tona po punojnë për të siguruar që rrugët tona të mos bllokohen. Nëse ju duhet të viti në Bruksel të hënën, zgjidhni transportin publik," shkroi Vervoort në Twitter.