Katër vetë para gjyqit në Paris për vrasjen nga xhihadistët të priftit francez

Katër bashkëpunëtorë në vrasjen e një prifti 85-vjeçar francez do të dalin në gjyq në Paris të hënën, pas disa vitesh hetimesh për një nga sulmet më të frikshme xhihadiste që kanë tronditur Francën vitet e fundit.

Priftit Jacques Hamel iu pre fyti para altarit ndërsa po kremtonte meshën më 26 korrik 2016, në kishën e tij në Saint-Etienne-du-Rouvray, një lagje periferike e klasës punëtore të Rouen në Francë.

Dy sulmuesit 19-vjeçarë, Adel Kermiche dhe Abdel-Malik Petitjean, gjithashtu plagosën rëndë një nga besimtarët që e morën peng përpara se të qëlloheshin dhe të vriteshin nga policia ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga kisha.

Ata pretenduan në një video se ishin anëtarë të Shtetit Islamik, i cili më vonë i quajti "ushtarët" e tij duke u hakmarrë për luftën e Francës kundër xhihadistëve në Siri dhe Irak.

Vrasja e atë Hamel ndodhi kur vendi ishte në gatishmëri të lartë për një seri sulmesh xhihadiste që filluan me një masakër në gazetën satirike “Charlie Hebdo” në janar të 2015-ës dhe që kanë marrë më shumë se 250 jetë në total.

Sulmi ngriti gjithashtu pikëpyetje në lidhje me aftësinë e agjencive franceze të inteligjencës për të parandaluar sulme të tilla, pasi Kermiche mbante një byzylyk elektronik në atë kohë, sepse Policia anti-terroriste mësoi se ishte përpjekur dy herë të shkonte të luftonte në Siri.

Prokurorët thonë se Jean-Philippe Jean Louis, Farid Khelil dhe Yassine Sebaihia e dinin për planin e sulmuesve, se Jean Louis udhëtoi me njërin vrasës, Petitjean, për në Turqi vetëm disa javë para sulmit në përpjekje për të arritur në Siri.

Ata i kanë mohuar akuzat për komplot me terroristët, ndërsa avokatët e tyre i kanë quajtur “koka turku”.

'Hidhuni mbi të pafetë'

Rachid Kassim, një francez që u bë rekrutuesi kryesor i ISIS dhe është nxitësi i dyshuar i sulmit, është akuzuar për bashkëpunim në vrasje duke ndihmuar në zgjedhjen e objektivit dhe duke dhënë këshilla.

“Hidhuni mbi të pafetë ashtu si luani i uritur sulmon prenë e tij”, u thotë Kassim në bisedat me audio dhe në mediat sociale, që u zbuluan nga hetuesit.

Policia thotë gjithashtu se Kassim qëndronte pas vrasjes rrëqethëse të një oficeri policie dhe gruas së tij përpara djalit të tyre tre-vjeçar në Magnanville, një periferi e Parisit, vetëm disa javë para vrasjes së Hamel. Ai besohet të jetë vrarë në një sulm ajror të koalicionit pranë Mosulit, Irak, ku jetonte, por po gjykohet në mungesë pasi vdekja nuk është konfirmuar.

Pavarësisht mungesës së fajtorëve kryesorë, të afërmit e atë Hamel dhe viktimat shpresojnë të mësojnë se si të rinjtë arritën të përqafuan ideologjinë ekstremiste që çoi në sulm.

Guy Coponet, i cili u plagos rëndë ndërsa mbahej peng në kishë, "dëshiron të kuptojë se si këta të rinj, thuajse adoleshentë, mund të kryenin tmerre të tilla," tha avokatja e tij Mehana Mouhou për AFP. Tani 92 vjeç, ai planifikon të marrë pjesë të paktën në një pjesë të seancave të caktuara për katër javët e ardhshme.

Zyrtarët e Kishës Katolike kanë nisur procesin për të kërkuar lumturimin e Hamelit, një hap i parë drejt kanonizimit ose shenjtërimit, që aktualisht po shqyrtohet nga Vatikani.

Papa Françesku, i cili miratoi një proces të shpejtë për Hamelin, e quajti atë një "martir" që vdiq për besimin e tij, që do të thotë se nuk ka kërkesë për një provë të mrekullive në rastin e tij.