Pas Princit Charles edhe gruaja e tij infektohet me Covid-19

Camilla, Dukesha e Cornwall-it ka rezultuar pozitive me Covid-19 vetëm katër ditë pas bashkëshortit të saj Princ Charles. Daily Mail raporton se 74 vjeçarja ka marrë tre dozat e vaksinës. Është hera e parë që dukesha është infektuar me koronavirus, ndërsa Princi Charles infektohet për herë të dytë.

Lajmin e konfirmoi një zëdhënës mbretëror: “Dukesha e Cornwall-it ka rezultuar pozitive për Covid-19 dhe është e izoluar. Ne vazhdojmë të ndjekim udhëzimet e qeverisë.” Charles besohet se është takuar me nënën e tij Mbretëreshën Elizabeth II në fillim të javës së kaluar kur të dy ishin në Kështjellën Windsor.

Pallati Buckingham nuk ka zbuluar nëse mbretëresha 95-vjeçare ka rezultuar pozitive, megjithëse javën e kaluar tha se ajo nuk kishte shfaqur simptoma.