‘Autokolona e lirisë’ e francezëve turret drejt Brukselit, pavarësisht paralajmërimeve nga Policia

Demonstruesit tani po drejtohen për në zemrën simbolike të BE-së.

Qindra automjete që merrnin pjesë në të ashtuquajturin “Autokolona e lirisë” së Francës u nisën drejt Brukselit të hënën, pavarësisht paralajmërimeve që ato do të pengoheshin të hynin në kryeqytetin belg.

Protesta kundër kufizimeve të Covid-it dhe çmimeve të larta të energjisë e zhvendosi fokusin e saj në zemrën simbolike të BE-së pasi policia pengoi shumicën e 3,000 automjeteve të përllogaritura të hynin në Paris në fundjavë.

Rreth 100 persona arritën të kalonin policinë dhe u mblodhën në Champs Élysées, ku u shpërndanë përfundimisht me gaz lotsjellës të shtunën në mbrëmje.

Policia belge tha se kishte dislokuar forca përgjatë disa autostradave dhe ndaloi rreth 30 automjete që shkonin drejt kryeqytetit.

Kryetari i qytetit të Brukselit, Philippe Close, tha se policia po i drejtonte automjetet në një zonë parkimi dhe pushimi jashtë qytetit, në gjendje të pranonte deri në 10,000 automjete dhe paralajmëroi demonstruesit se ky ishte i vetmi vend që do të lejoheshin të bashkoheshin dhe protestonin.

Ai tha se protestuesit mund të lejohen të hyjnë në Bruksel në këmbë, por ata nuk do të lejohen të "marrin peng kryeqytetin". Autoritetet e Brukselit kanë ndaluar çdo demonstratë në qytet të hënën.

Të dielën mbrëma, policia franceze paralajmëroi se kishte rreth 1,300 automjete që po bashkoheshin në qytetin verior të Lille, jo shumë larg kufirit belg.