Protestuesit kundër pasaportave Covid, rrugës për në Bruksel

Qindra makina, autobus dhe kamionë janë në rrugë e sipër drejt një proteste kundër rregullave për Covid që duan të mbajnë sot në Bruksel, edhe pse zyrtarët belgë e kanë ndaluar atë demonstratë që kopjon përpjekjejen që u bë në fundjavë në Paris.

Kjo erdhi pasi rreth 1,300 automjete nga e gjithë Franca kishin mbërritur pranë qytetit kufitar francez të Lille deri të dielën vonë, sipas policisë. Disa protestues valëvitën flamujt francezë dhe brohoritën "Ne nuk do të dorëzohemi" dhe "Liri, liri".

Nëntëdhjetë e shtatë persona u arrestuan në fundjavë në Paris, ku mijëra demonstrues kundërshtuan ndalimin për të bllokuar kryeqytetin francez. Demonstruesit vunë në shënjestër "pasaportën e vaksinës" që kërkohet për të hyrë në restorante, kafene dhe shumë vende të tjera publike në të gjithë vendin.

Edhe autoritetet belge i kanë ndaluar të gjitha demonstratat me “mjete motorike” në kryeqytet dhe thanë se kishin marrë masa për të parandaluar bllokimin e rajonit të Brukselit. Kryeministri belg Alexander De Croo i këshilloi demonstruesit të hiqnin dorë nga planet  për të ardhur në Bruksel.

“Unë u them atyre që vijnë nga jashtë: shikoni rregullat në Belgjikë. Nuk kemi pasur kurrë rregulla shumë të vështira dhe nuk kemi më kaq shumë. Kështu pra, ankohu në vendin tënd.”

Kontrolle janë planifikuar në kufi dhe automjetet që vijnë në kryeqytet pavarësisht se ndalohet, do të devijohen, paralajmëruan autoritetet belge. Aeroporti i Brukselit gjithashtu i këshilloi udhëtarët që të marrin masa paraprake të hënën dhe të vijnë me trena se mos u bllokohen rrugët .

"Autokolona e lirisë" e vetëshpallur është një nga disa të tilla në mbarë botën të frymëzuara nga një përplasje e kamionistëve me autoritetet në Kanada për detyrimin e vaksinimit.